Në një mbrëmje plot emocione dhe yje në Radio City Music Hall, Nicole Scherzinger rrëmbeu çmimin e saj të parë Tony si Aktorja më e Mirë Protagoniste në një Muzikal për rolin e Norma Desmond në Sunset Boulevard.
E përlotur, ajo falënderoi Zotin, të fejuarin Thom Evans dhe nënën e saj, që e rriti e vetme që në moshë të re.
“Gjithmonë jam ndjerë si dikush që nuk përket askund. Por sot, ndjehem si në shtëpi”, tha Nicole mes lotëve, ndërsa falënderoi kompozitorin Andrew Lloyd Webber dhe regjisorin Jamie Lloyd për besimin dhe mbështetjen, shkruan DailyMail.
Çmimin për Aktorin më të Mirë në një Muzikal e fitoi Darren Criss për Maybe Happy Ending, një shfaqje futuriste për dy robotë që përjetojnë dashuri dhe vetmi.
Ndërkohë, George Clooney u shpërfill në mënyrë të papritur për rolin në Good Night, And Good Luck, duke humbur ndaj Cole Escola, i cili triumfoi me shfaqjen “Oh, Mary!”, të shkruar dhe interpretuar prej tij.
Sarah Snook, ylli i “Succession”, bëri debutimin në Broadway me një interpretim të jashtëzakonshëm në “The Portrait of Dorian Gray”, duke luajtur 26 role. Ajo fitoi çmimin për Aktoren më të Mirë në një Shfaqje dhe u shpreh e nderuar përkrah emrave si Mia Farrow dhe Sadie Sink. “Kjo është një dhuratë për vajzën e vogël australiane që ëndërronte Broadway-n”, tha ajo. Ceremonia u prezantua nga Cynthia Erivo dhe ishte një festë e artit dhe talentit që e mbajti publikun të emocionuar deri në fund.