Shkup, 12 tetor – Një Toyota me vlerë 22.500 euro, një Lexus me vlerë 15.000 euro dhe një Range Rover Evoque, i vlerësuar në 17.340 euro, janë automjetet e përfshira në një skemë kontrabande me makina luksoze të importuara nga Bullgaria. Deri tani nën hetimin janë tre persona, mes të cilëve edhe një drejtues i një subjekti juridik. Prokurori ka propozuar masën e paraburgimit për të tre të dyshuarit, D.K., G.S. dhe S.S. për vepra penale, Kontrabandë dhe Falsifikim i Dokumenteve, ndërsa njëri prej tyre ndodhet jashtë shtetit. Siç bëhet e ditur, masa e paraburgimit për këtë person do të mund të zbatohet vetëm pasi të privohet nga liria.
“Me aksionin e realizuar, janë siguruar prova që hedhin dyshime të bazuara se i dyshuari i parë, në mars 2022, përmes pikës kufitare Deve Bair, ka nxitur dhe organizuar kontrabandën e një automjeti Toyota C-HR, me vlerë 22,500 euro, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar. Ai përdori targa dhe dokumente false, të përgatitura nga një person tashmë i dënuar dhe regjistroi makinën duke nxjerrë leje qarkullimi të falsifikuar. E dyshuara e dytë, në gusht 2021, ka nxitur dy shtetas bullgarë të kryejnë kontrabandën e një Lexus, me vlerë 15,000 euro, i cili gjithashtu ishte në kërkim ndërkombëtar. Ajo ka marrë makinën me një kontratë fiktive dhe më pas me targa dhe dokumente bullgare të falsifikuara nxori leje qarkullimi në vend. I dyshuari i tretë është drejtues i një subjekti juridik, i cili për nevojat e firmës, në mënyrë të ngjashme, duke shmangur kontrollin doganor, ka futur nga Bullgaria në vend një Land Rover Range Rover Evoque, me vlerë 17,340 euro, me numër shasie të ndryshuar dhe më pas me dokumente tërësisht false nxori leje qarkullimi për automjetin”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike Shkup.
Në aksionin e realizuar sipas prokurorisë, procedurë është hapur edhe ndaj dy zyrtarëve administrativë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me inicialet A.K dhe A.SH. që në kohën e kryerjes së veprës kanë qenë të punësuar në shërbimet dhe për të cilët ekzistojnë dyshime se kanë përgatitur dhe nxjerrë lejet e qarkullimit. Sipas Prokurorisë, disa nga pjesëmarrësit në këtë skemë janë tashmë të ndaluar, ndaj disa ka aktakuza në procedim, ndërsa për të tjerë është lënë ndjekja penale në duart e autoriteteve bullgare, për shkak se janë shtetas të atij vendi./Alsat.mk