Presidenti i SHBA-së, Donald Trump nënshkroi dje legjislacionin që urdhëron Departamentin Amerikan të Drejtësisë të publikojë dokumente nga hetimi ndaj Jeffrey Epstein – dosje të kërkuara me padurim si nga kundërshtarët e tij politikë ashtu edhe nga anëtarët e partisë së tij, të cilët kanë kërkuar transparencë më të madhe në këtë rast, sipas “Reuters”.
Materiali mund të hedhë dritë mbi aktivitetet e Epstein, i cili shoqërohej me Trump dhe figura të tjera të shquara para dënimit të tij në vitin 2008 pas akuzave për abuzime seksuale, shfrytëzim prostitucioni dhe trafik minorenësh.
Presidenti Donald Trump ka nënshkruar ligjin që detyron Departamentin e Drejtësisë të publikojë dokumentet e lidhura me Jeffrey Epstein.
“Sapo kam nënshkruar projektligjin për publikimin e dosjeve të Epstein”, tha presidenti Trump në një postim në “Truth Social”, duke e shoqëruar njoftimin me kritika ndaj demokratëve, të cilët sipas tij po e përdorin çështjen Epstein për të devijuar vëmendjen nga “fitoret e mëdha të administratës së tij”.
Nënshkrimi i ligjit u bë pasi Senati finalizoi procedurat dhe ia dërgoi atë Shtëpisë së Bardhë, pasi më herët ishte miratuar me shumicë votash në Dhomën e Përfaqësuesve.
Departamenti Amerikan i Drejtësisë, ka 30 ditë kohë për të publikuar të gjitha dosjet që lidhen me Epstein dhe bashkëpunëtoren e tij, Ghislaine Maxwell.
