Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i është organizuar pritje mbretërore të hënën (27.10.2025) në Japoni, në fazën e fundit të turneut pesëditor në Azi, të cilin ai shpreson ta kulmojë me marrëveshje me presidentin kinez, Xi Jinping, për një armëpushim në luftën tregtare, raporton Reuters.Trump, me udhëtimin e tij më të gjatë jashtë vendit që nga marrja e mandatit në janar, ka bërë të ditur një mori marrëveshjesh për tregtinë dhe mineralet kritike me katër vende të Azisë Juglindore gjatë ndalesës së parë në Malajzi dhe pritet të takohet të enjten me presidentin Xi në Korenë e Jugut.Negociatorët e dy ekonomive kryesore të botës janë pajtuar të dielën për një kornizë për marrëveshje për të pauzuar tarifat më të larta amerikane dhe kontrollet kineze të eksportit të metaleve të rralla, kanë deklaruar zyrtarët amerikanë. Lajmi ndikoi që aksionet aziatike të ngrihen në nivele rekord.
“Kam shumë respekt për presidentin Xi dhe mendoj se do të arrijmë një marrëveshje”, ka deklaruar Trump gazetarëve në Air Force One para se të aterronte në kryeqytetin japonez, Tokio.
Veshur me kravatë të artë dhe kostum blu, Trump dha disa goditje me grushte përpara se helikopteri ta merrte për një xhiro piktoreske nate nëpër Tokio, disa nga kullat e saj të ndriçuara me të kuqe, të bardhë dhe blu si flamuri amerikan.
Më vonë Trump shkoi në Pallatin Perandorak, ku shtrëngoi duart dhe pozoi për fotografi me Perandorin japonez, Naruhito.
Mijëra policë po ruanin Tokion pasi një burrë me thikë u arrestua të premten jashtë Ambasadës amerikane, dhe një protestë kundër Trump ishte planifikuar në qendër të Shinjukusë.
Trump ka marrë tashmë një zotim investimi prej 550 miliardë dollarësh nga Tokio në këmbim të lehtësimit nga ndëshkimi i tarifave të importit.
Sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick, dhe homologu japonez, Ryosei Akazaëa, arkitektët e marrëveshjes së tarifave të arritur në korrik, diskutuan rrjetet e energjisë si një zonë të mundshme investimi gjatë një dreke sushi në Tokio më herët të hënën, raportuan mediat lokale.
Kryeministrja Sanae Takaichi shpreson të impresionojë më tej Trumpin të martën me premtimet për të blerë kamionçina amerikane, sojë dhe gaz, dhe për të kumtuar marrëveshje për ndërtimin e anijeve, kanë bërë të ditur burimet për Reutersin.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
