U kritikua nga Rama për ndërtimin pa leje në Theth, ILD: S’ka arsye për hetim për prokuroren Gjeli

nga L. M

Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk do të nisë një hetim disiplinor ndaj prokurores së Shkodrës, Elsa Gjeli, e cila u kritikua publikisht nga kryeministri Edi Rama për mospaditjen e një ndërtimi pa leje në zonën e mbrojtur të Thethit.

Në një letër zyrtare drejtuar ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, ILD bën të ditur se pas verifikimeve paraprake të kryera mbi ankesën e paraqitur më 10 korrik, nuk janë konstatuar elementë juridikë apo faktikë që do të justifikonin nisjen e një hetimi disiplinor ndaj prokurores Gjeli. Për këtë arsye, kërkesa është arkivuar.

“Nuk konstatohen elementë juridikë apo faktikë të cilët i krijojnë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë një dyshim të arsyeshëm për fillimin e hetimit disiplinor ndaj magjistrates Elsa Gjeli”, thuhet në vendimin zyrtar të ILD, të datës 15 korrik 2025.

Në të njëjtën letër, ILD njofton se, në përputhje me legjislacionin në fuqi, ministri Manja ka të drejtë të ankimojë vendimin pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë brenda një jave nga data e marrjes së vendimit të arsyetuar.

Prokurorja Elsa Gjeli u vu në qendër të vëmendjes pas kritikave të ashpra të kryeministrit Rama më 7 korrik, kur qeveria ndërhyri për të shembur disa ndërtime pranë kishës në fshatin turistik të Thethit. Rama e akuzoi atë për mbylljen e një çështjeje penale të lidhur me këto ndërtime, që sipas tij ishin të paligjshme dhe të lidhura me figura të botës së krimit.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More