Ukraina kryen sulm në një resort pushimesh në Krime, tre të vrarë e 16 të plagosur

nga D. V.

Një sulm ukrainas me dron ndaj një zone pushimesh në gadishullin e Krimesë la të vrarë tre njerëz dhe plagosi 16 të tjerë, tha një zyrtar i lartë lokal. Sulmi u dënua nga Moska.

Sergei Aksyonov, udhëheqës i Krimesë i emëruar nga Rusia, në rrjetin “Telegram” i dha këto shifra të viktimave në qytezën Faros, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”. Rusia e pushtoi dhe e aneksoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha: “Rreth orës 19:30 sipas kohës së Moskës në zonën e resorteve të Krimesë, ku nuk ka caqe ushtarake çfarëdo qofshin ato, forcat e armatosura ukrainase kryen një sulm terrorist duke përdorur dronë sulmues të pajisur me ngarkesë plasëse me shpërthim të lartë.”

Kjo ministri e përshkroi incidentin si “sulm terrorist të paramenduar ndaj një caku civil”. Ndërkohë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, e dënoi incidentin duke e quajtur “një akt tjetër terrorizmi nga regjimi i Kievit”.

“Dhe NATO-ja e Bashkimi Evropian, kur e kërkojnë agresorin në kontinentin evropian, duhet të shikojnë në pasqyrë për ta parë këtë” – i tha ajo agjencisë ruse të lajmeve, TASS.

“Këta janë ata që po i udhëheqin destabilizimin dhe përhapjen e terrorizmit në Evropë përmes sponsorizimit të regjimit të Kievit dhe si furnizues të tij me armë” – shtoi Zakharova.

Zyrtarët ukrainas nuk lëshuan ndonjë koment për incidentin dhe agjencia “Reuters” nuk mundi ta vërtetonte raportin në mënyrë të pavarur.

Krimea subtropikale ka qenë zonë e popullarizuar për pushime që nga periudha sovjetike për turistët, banorët sovjetikë dhe shtresën elite.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More