Ukraina kundërshton me vendosmëri çdo ndryshim kufitar sipas planit të paqes të SHBA-së

nga D. V.

Ambasadorja e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Olha Stefanishyna ka përjashtuar me vendosmëri çdo ndryshim kufitar në vend – në përgjigje të planit të paqes së SHBA-së – për t’i dhënë fund luftës së nisur nga Rusia gati katër vjet më parë.

“Integriteti territorial i Ukrainës dhe ndryshimi i kufijve ukrainas nuk është diçka që duhet të diskutohet në tryezën e bisedimeve”, tha dje në mbrëmje Stefanishyna.

Ukraina dhe vendet e saj evropiane kanë bërë përpjekje për muaj të tërë – për arritjen e një armëpushimi përgjatë vijave aktuale të frontit – si një hap i parë drejt çdo marrëveshjeje paqeje, por Moska nuk është tërhequr nga qëllimet e saj të luftës.

Stefanishyna tha se Kievi ishte i hapur për të pasur një bisedë të detajuar rreth asaj se ku saktësisht do të ngrihej vija e kontaktit midis forcave, dhe se kjo nuk kishte qenë pjesë e dialogut deri më tani.

Plani prej 28-pikësh, i zbuluar këtë javë dhe i paraqitur zyrtarisht dje Kievit, bën thirrje që Ukraina të bëjë lëshime të mëdha territoriale, duke përfshirë tërheqjen e trupave nga zonat e rajoneve të kontestuara si, Luhansku dhe Donetsku – që trupat ruse aktualisht kontrollojnë.

Për më tepër, Uashingtoni pritet të njohë Gadishullin e Krimesë, të aneksuar në mënyrë të paligjshme në vitin 2014, dhe rajonet e Donetskut dhe Luhanskut si territore de facto ruse.

Sipas propozimit të SHBA-së, Ukraina do të duhet të heqë dorë nga anëtarësimi në NATO me anë të një dekreti kushtetues dhe të kufizonte madhësinë e ushtrisë së saj në 600,000 trupa.

Në këmbim, Ukrainës do t’i premtohet garanci sigurie nga SHBA-ja dhe do t’i lejohet të bashkohet me Bashkimin Evropian.

Stefanishyna i përshkroi 28 pikat e planit të administratës Trump në përputhje me kërkesat e Moskës.

Një qëndrim i ngjashëm u përsërit nga i dërguari i Ukrainës në OKB në Nju Jork dje në mbrëmje, ku Këshilli i Sigurimit diskutoi luftën ruse.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More