E raportuar fillimisht si një vdekje aksidentale e shkaktuar nga asfiksimi i një zjarri në banesë, rezultoi një vrasje e mirëfilltë dhe e tentuar që të dukej si një zjarr aksidental në banesë.
Për të vetmuarën 52-vjecare Kozeta Teço, ka dyshime te forta se mund të jetë vrarë nga një 37-vjecar, i cili më pas mendohet se ka inskenuar edhe djegien e banesës me qëllim humbjen e gjurmëve.
Dyshimet e para i ngriti ekspertiza mjekoligjore, që konstatoi dy plagë të thella në trupin e të ndjerës, në qafë dhe shpatull, ç’ka detyroi policinë të rikthehej në vendngjarje dhe të fillonte kërkimet për gjetjen e provave.
Të ndihmuar edhe nga kamerat, fillimisht Policia e Pogradecit gjeti rroba të përdorura nga autori i dyshuar, të hedhura në kazanin e mbetjeve.
Në të njëjtin vend u gjet edhe thika me të cilën dyshohet se është goditur 52-vjeçarja. Nuk ka vonuar identifikimi dhe ndalimi i të dyshuarit Ilirjan Selmani, 37-vjeç, i cili është kthyer në vendngjarje nga policia për t’u shoqëruar më pas drejt komisariatit.