Likovë, 21 shtator – Lirim Jashari – bartës i listës për këshilltarë në komunën e Likovës, në një komunikat për mediat, ka kërkuar përgjegjësi për një skandal të madh që ka ndodhur në Komunën e Likovës, me në krye kryetarin aktual, z. Erkan Arifi, transmeton Zhurnal.mk
“Dje me datë 20 shtator 2025, në media në gjuhën shqipe u publikua një skandal me fakte të pakundërshtueshme, se për terrenin sportiv pranë shkollës fillore 5 tetori në Ropalcë janë nënshkruar dy kontrata për të njëjtin projekt, njëra në vitin 2019 dhe tjetra në vitin 2025.
Edhe pse kryetari përpiqet të mohojë dhe ta quajë këtë “shpifje”, faktet e thonë të kundërtën:
● Në vitin 2019 është lidhur kontrata e parë me ndërmarrjen “KOOP INZHENERING”. Në sistem ajo figuron si e vlefshme, por pa asnjë anulim. Pra a po shpif sistemi z.Arifi?
● Në vitin 2021, z. Arifi e ka promovuar publikisht në Facebook terrenin sportiv në Ropalcë si projekt të përfunduar. Pra,a keni shpifur vet ju z.Arifi, apo keni mashtruar opinionin publik duke e paraqitur një projekt të pafilluar si të realizuar?
· Madje në këtë postim të z. Arifi, ai thotë se të gjitha investimet e prezantuara në video kanë kushtuar 2 milionë euro. Pra, a është bërë apo jo terreni sportiv në Ropalcë me tenderin e parë të vitit 2019?
● Katër vjet më vonë, në vitin 2025, shpallet sërish tenderi dhe nënshkruhet për të njëjtin projekt, sikur të mos kishte ndodhur asgjë më parë.
I përballur me këto fakte, kryetari Erkan Arifi në vend që të japë llogari, ai doli me një reagim shterp ku nuk adreson shumicën e dilemave, por thotë se kontrata e parë nuk është paguar.
Ne sërish do t’i drejtohemi me pyetje z. Arifi:
– Pse nuk u bë terreni sportiv në Ropalcë në vitin 2019, kur është nënshkruar kontrata e parë me kompaninë KOOP Inzhenering?
– A është paguar kjo kontratë apo jo, dhe nëse nuk është paguar, pse Erkan Arifi nuk prezantoi dëshmi për anulimin e kontratës?
– A i është paguar dëmshpërblim kompanisë për anulimin e kontratës, nëse është anuluar?
– Nëse kontrata nuk është paguar dhe terreni nuk është bërë, pse Erkan Arifi i mashtroi qytetarët duke e promovuar atë si të përfunduar para zgjedhjeve të vitit 2021?
Të dashur qytetarë të komunës së Likovës,
Kjo është udhëheqësia aktuale e Likovës, ky është sistemi i kalbur që duhet hequr edhe nga Likova.
Tendere të dyshimta, kontrata të dyfishta, mashtrime dhe gënjeshtra pa pikë turpi duke promovuar projekte që nuk janë realizuar kurrë.
Prandaj, sot si bartës i listës së koalicionit Vlen, i bëj thirrje organeve kompetente, Prokurosië Publike, Policisë Financiare, Komisionit shtetëtor për parandalim të korrupsionit, që të hetojnë këtë rast deri në fund.
U bëj thirrje edhe qytetarëve që të kërkojnë llogari për paratë publike dhe të mos e kalojnë në heshtje këtë skandal.
Likova meriton transparencë, llogaridhënie dhe drejtësi. Mjaft më me mashtrime e kontrata të dyfishta. Një për vete dhe klikën e ngushtë që ndërtojnë villa në Manastir, tjetra për projektin.”.


