Ministri i Jashtëm gjeman, Johann Wadephul, deklaroi sot nga Berlini se po bëhen përparime mbi një plan paqeje për të ndalur luftën në Ukrainë, pas bisedimeve të nivelit të lartë me përfaqësues të SHBA-së në Gjenevë.
Çështjet që lidhen me Evropën dhe NATO-n janë hequr nga projektdokumenti i marrëveshjes së paqes të prezantuar nga Shtetet e Bashkuara, tha Wadephul për stacionin radiofonik “Deutschlandfunk”.
“Ky është një sukses vendimtar që u arrit dje”, shtoi ai.
Bisedimet në Zvicër, që përfshinin zyrtarë nga Shtetet e Bashkuara të Bashkuara Ukraina, Franca, Britania e Madhe, Gjermania dhe Bashkimi Evropian, u organizuan me nxitim pas propozimit të fundit amerikan për përfundimin e konfliktit, i cili u bë publik javën e kaluar.
Aleatët evropianë të Ukrainës kanë kundërshtuar planin në formën e tij origjinale, i cili favorizon shumë Rusinë.
Dokumenti origjinal me 28 pika do të kërkonte që Kievi të dorëzonte pjesë të mëdha territoresh ndaj Rusisë dhe të kufizonte madhësinë e ushtrisë së saj, ndër masa të tjera.
Megjithatë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se në Gjenevë u arrit përparim “substancial”.
Wadephul shmangu të jepte detaje të mëtejshme, por theksoi se është e qartë se asgjë nuk mund të “arrihet pa u rënë dakord ” midis evropianëve dhe Ukrainës.
Sovraniteti i Ukrainës duhet të ruhet, tha ai, duke argumentuar se vetëm Kievi mund të vendosë se kur dhe çfarë lëshimesh të bëjë.
