Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul tha se nuk e konsideron propozimin prej 28-pikësh të paraqitur nga Uashingtoni si një plan përfundimtar për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë.
“E shoh dokumentin si “një listë opsionesh dhe idesh” që duhen diskutuar urgjentisht midis Ukrainës dhe Rusisë, jo si një plan përfundimtar”, u tha Wadephul dje gazetarëve në Bruksel.
“Qëndrimi gjerman është i njëjtë me atë evropian, dhe kjo do të thotë se ne po e mbështesim Ukrainën”, tha ai.
“Do të jetë Ukraina ajo që do të vendos për kompromiset, ashtu si Rusia do të duhet të marrë vendime të ngjashme”, tha Wadephul.
“Ne nuk jemi arbitra këtu, por ne po mbrojmë Ukrainën, sepse Ukraina po mbron lirinë e saj dhe lirinë e Evropës”, tha ai.
Përmbajtja e planit, thuhet se bazohet kryesisht në qëndrimet ruse, duke e bërë të mundshme që Kievi ta refuzojë atë.
Sipas raporteve të medias, draft-marrëveshja e hartuar nga Uashingtoni parashikon që Ukraina të bëjë lëshime territoriale.
Sipas propozimit, Krimea dhe territoret e pushtuara ukrainase të Donetskut dhe Luhanskut do të njihen si territore de facto ruse.
Për më tepër, Ukraina do të duhet të heqë dorë nga anëtarësimi në NATO – me anë të një dekreti kushtetues – të kufizojë madhësinë e ushtrisë së saj në 600,000 trupa dhe të heqi armët bërthamore.
Në këmbim, Ukrainës do t’i premtohet garanci sigurie nga SHBA-ja dhe do t’i lejohet të bashkohet me Bashkimin Evropian.
