Shkup, 27 gusht – Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), Muhamed Ali dhe drejtori i Parkut Nacional “Mavrovë”, Haris Ibraimi, realizuan takim kushtuar mbrojtjes së pyjeve dhe pasurive natyrore.
Siç informojnë nga QMK-ja, theksi kryesor është vënë mbi nevojën për sisteme moderne të zbulimit të hershëm të zjarreve – një zgjidhje që mundëson reagim në kohë, ulje të rrezikut dhe menaxhim më efikas të zjarreve gjatë muajve të nxehtë verorë.
Në takim u potencua se parqet nacionale janë pasuri e çmuar e natyrës sonë dhe se mbrojtja e tyre nuk është vetëm detyrim institucional, por edhe përgjegjësi e përbashkët që kërkon investime të vazhdueshme në teknologji.
“Takimi gjithashtu u shfrytëzua për shkëmbim idesh dhe përvojash si dhe për përcaktimin e hapave konkret për përmirësimin e koordinimit ndërmjet QMK-së dhe parqeve nacionale, me qëllim ruajtjen e bukurive natyrore dhe sigurimin e sigurisë për banorët lokal”, theksohet në kumtesë.
