Shkup, 1 qershor – Për zgjedhjet lokale të tetorit, partitë politike ende nuk kanë përcaktuar kandidatët për kryetarë komunash dhe këshilltarë komunalë. Vetëm VMRO-ja dhe LSDM-ja janë prononcuar për disa emra të përzgjedhur si garues të zgjedhjeve lokale.
Vonesa e mospublikimit të emrave potencialë, sipas njohësit të çështjes, Bashkim Selmani, lidhet me lëvizjet e partive politike kohëve të fundit dhe ndoshta edhe me moskoordinimin brenda partive për atë se cilat figura do t’i kandidojnë – fytyrat e njohura apo kuadro të reja.
“Analizuar në prizmin e situatës aktuale dhe përçarjeve që po ndodhin mes subjekteve politike shqiptare, kjo ka bërë që akoma të mos i nxjerrin emrat përkatës. Po ashtu, ekziston një dislokim mes asaj që është program dhe asaj që mund t’u ofrohet qytetarëve. Siç duket, partitë politike shqiptare janë humbur nëpër labirinthet e tyre të interesave partiake për pozicionimin dhe ripozicionimin e tyre, dhe kësaj radhe pretendojnë të nxjerrin vetëm emrat e caktuar që do t’i fitonin komunat përkatëse”, u shpreh profesori universitar Bashkim Selmani.
Pasi që zgjedhjet lokale lidhen me shërbimet komunale, ka gjasa që partitë të mos i kenë gati programet dhe platformat zgjedhore – çfarë do të premtojnë për qytetarët në fushën e investimeve dhe infrastrukturës, të cilat shumë pak realizohen pasi ta marrin mandatin, thotë për TVM2 Selmani.
“Mbi 60 për qind e qytetarëve që jetojnë nëpër komuna, në zona të ndryshme në rrethet e komunave, shohim se edhe sot aktualisht nuk kanë kanalizim, transport publik dhe asnjë shërbim që është në interesin e tyre – megjithëse paguajnë taksa, qoftë në qytetin e Shkupit apo qytetet e tjera, ku qytetarët janë të stërngarkuar me detyrime. Pamë edhe çështjen e EVN-së apo shërbimet e tjera, ku në këtë rast kryetarët e komunave as që kanë bërë zë për këtë kufizim apo vjedhje publike që u ndodh qytetarëve”, theksoi Selmani.
Profesori universitar Selmani shpreson që këto zgjedhje të sjellin mirëqenie dhe avancim të pozitës së qytetarëve, sidomos në komunat e banuara me jomaqedonas, dhe ta kthejnë besimin e popullit te menaxhmenti lokal – gjë e cila, sipas tij, humbet çdo ditë për shkak se komunat nuk ofrojnë realitet nga ajo që premtohet në fushatë zgjedhore.