Shkup, 29 shtator – Partitë dhe kandidatët e pavarur sot në ditën e parë të fushatës për Zgjedhjet lokale 2025 fillojnë me prezantimet e tyre zyrtare para votuesve. Fushata zgjedhore fillon sot dhe do të zgjasë deri më 17 tetor në mesnatë pas çka vijon heshtja 24 orëshe para votimit të 19-të tetorit (rrethi i dytë 2 nëntor). Përveç fushatës në terren dhe me mbështetësit, fushata ka filluar tashmë edhe në rrjetet sociale.
VMRO-DPMNE dhe koalicioni fushatën zgjedhore për Zgjedhjet lokale 2025 e fillojnë sonte në Shkup me një ngjarje të madhe ku promovojnë kandidatin për kryetar të Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievskin. Prezantimi i të gjithë kandidatëve për kryetar komune dhe bartësve të listave të këshilltarëve u mbajt të shtunën në Shtip.
Ngjarja qendrore e LSDM-së dhe koalicionit sonte është në Krushevë, ku kandidat për kryetar komune është Tome Hristovski, ndërsa më herët karvani i tyre zgjedhor do të jetë në Demir Hisar dhe Mogillë. Ata dje kishin prezantimin e të gjithë kandidatëve të koalicionit të udhëhequr nga partia opozitare.
Kandidati për kryetar të Qytetit të Shkupit, prof. Goran Markovski i mbështetur nga platforma qytetare-politike “Të pavarurit së bashku”, fushatën do ta fillojë me një konferencë për shtyp në Ljubljanska në Karposh.
Ngjarjen qendrore për prezantimin e kandidatëve për kryetarë të komunave, VLEN do ta mbajë të martën në Shkup, ndërsa sot prezantimin e tij do ta ketë kandidati për kryetar të komunës së Çairit dhe zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti dhe lista e këshilltarëve për këtë komunë të Shkupit në sheshin Skenderbe.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ngjarjen qendrore për prezantimin e kandidatëve për kryetarë të komunave e mbajti mbrëmë në Shkup.
Dje prezantimin e kandidatëve të tij për kryetarë të komunave dhe këshilltarë ka organizuar dhe koalicioni “Përvojë për sukses” që e përbëjnë PLD, GROM, Integra dhe PCER.
Prezantime të kandidatëve për kryetarë të komunave dhe këshilltarëve do të ketë edhe në tjera komuna.
Siç është parashikuar në Kodin zgjedhor (neni 69a), fushata zgjedhore konsiderohet një tubim publik dhe ngjarje të tjera publike të organizuara nga ana e pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore, shfaqja publike e bilbordeve, video prezantimet në vende publike, media zgjedhore dhe prezantimi në internet, shpërndarja e materialeve të shtypura dhe prezantimi publik i kandidatëve të konfirmuar nga organet zgjedhore kompetente dhe programet e tyre.
Zgjedhjet lokale të vitit 2025 janë të tetat që nga pavarësia e shtetit, ndërsa të katërtat në të cilat zgjidhen kryetarët e komunave dhe lista e këshilltarëve në 80 komuna dhe Qytetit të Shkupit. Do të votohet në 3.480 vendvotime për 309 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 576 lista kandidatësh për anëtarë të këshilltarëve të komunave ose për gjithsej 10.490 kandidatë.
Në zgjedhje marrin pjesë 22 parti, 19 koalicione dhe 119 grupe të votuesve gjegjësisht kandidatura të pavarura.
Më së shumti kandidatë për kryetarë të komunës ka për Qytetin e Shkupit, gjithsej 16.
Sipas Kodit zgjedhor, zgjedhjet lokale mbahen çdo katër vjet në gjysmën e dytë të tetorit. Vetëqeverisja lokale është e organizuar në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit si njësi e veçantë e vetëqeverisjes lokale.
Në përbërje të Qytetit të Shkupit funksionojnë nga 10 komuna, të cilat ndajnë përgjegjësitë me Qytetin. Zgjedhjet i shpall kryetari i Kuvendit me miratimin e aktit të publikuar në Gazetën zyrtare. Zgjedhjet mbahen jo më herët se 70, ndërsa jo më vonë se 90 ditë nga data e shpalljes së zgjedhjeve.
Zgjedhjet lokale në Maqedoni u mbajtën në vitet 1996, 2000, 2005, 2009, 2013, 2017 dhe në vitin 2021.
