Edon Zhegrova është prezantuar te Juventusi, ku ka dalë për herë të parë në konferencë për shtyp.
Sulmuesi kosovar iu bashkua gjigantit italian në ditën e fundit të afatit kalimtar, teksa ka mbetur shumë i kënaqur me pritjen që i është bërë nga Zonja e Vjetër.
“Jam shumë i kënaqur me këto ditë të para dhe jam mirëpritur nga të gjithë”, tha fillimisht Zhegrova.
“Kam kaluar një kohë të vështirë, por tani ndihem më mirë. Stafi po më ndihmon, por do të jem gati shumë shpejt dhe do të jem shumë më mirë”.
Tutje Zhegrova tha se ka ëndërruar gjithmonë të luaj me një skuadër të madhe, derisa për Juventusin thotë se ka potencial t’i fitoj të gjitha ndeshjet.
“Kam ëndërruar gjithmonë të luaj në një klub të madh si ky: sapo kam biseduar me drejtuesit e Juventusit e kam kuptuar se kishte interesim serioz dhe ëndrra ime do të mundë të bëhej realitet”.
“Kjo është një skuadër e re që dëshiron t’i fitojë të gjitha ndeshjet dhe sfidat me të cilat përballet, objektiv do të jetë gjithmonë ky”.
“Kur jam përballur me Juventusin si kundërshtar ishte një mundësi që t’i demonstroj vlerat e mia, ndërsa tash jam pjesë e këtij klubi: të gjithë po më përkrahin dhe ndihmojnë për t’u integruar sa më shpejtë të jetë e mundur”, tha Zhegrova.