Shkup, 7 shtator – Disa zjarrfikës kanë marrë lëndime gjatë shuarjes së zjarrit që shpërtheu dje në fabrikën “Mak Progres” në Vinicë e njohur për brendin Vinçini. Zjarri është vënë nën kontroll, deklaroi drejtori i Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim, Stojançe Angellov.
“Janë djegur tre linja të shënuara si 6, 7 dhe 8 (dy prej të cilave janë depo), të gjitha kanë pasur panele diellore në kulm. Janë shpëtuar linjat nga 1 deri në 5. Zjarri është nën kontroll të plotë. Në shuarjen e zjarrit morën pjesë zjarrfikës nga NJTZ Vinicë, Makedonska Kamenicë, Dellçevë, Koçan, Probishtip, Shtip, Strumicë, Kavadar dhe Veles”, theksoi Angellov.
Ai theksoi se disa zjarrfikës kanë marrë lëndime të djegurash në këmbë pasi që kanë ngecur në rrëshirën nga sheqeri i shkrirë në një pjesë të fabrikës.
“Gjatë tentimit për t’u larguar, çizmet u kanë ngecur në sheqerin e shkrirë dhe ata kanë shkelur mbi masën e shkrirë”, sqaroi Angellov.
Zjarri në fabrikën për prodhime konditore në Vinicë shpërtheu dje në orën 18:40, në depo dhe në linjat e prodhimit 6, 7 dhe 8.