Lufta shkatërrimtare në Gaza ka arritur në përvjetorin e dytë, duke u kthyer në konfliktin më të gjatë të Izraelit, që pas vitit 1948, i cili solli edhe krijimin e shtetit izraelit. Shumica e të vrarëve nga ofensiva izraelite në Rripin e Gazës kanë qenë civilë. Numri i përgjithshëm tashmë ka tejkaluar 67,000 viktima.
Familje të tëra kanë ndërruar jetë nga bombardimet ajrore. Ndonjëherë, në rastin më të mirë, një familjar, shpesh fëmijë, ka mbetur i gjallë. Në total, numri i viktimave përbën rreth 10% të popullsisë së Gazës para luftës. Popullsia ishte 2.3 milionë banorë! Ka gjithashtu thuajse 170,000 të plagosur.
Mund të ketë edhe shumë të vdekur të tjerë që nuk janë numëruar ende nën rrënojat që mbulojnë pjesën më të madhe të Gazës. Të vrarët nga sëmundjet e patrajtuara, kequshqyerja, vetëvrasjet apo shkaqe të tjera të lidhura me konfliktin janë po ashtu në shifra shqetësuese.
Mijëra persona thjesht kanë humbur, janë zhdukur, djegur ose copëtuar nga shpërthimet, apo mbahen në burgje sekrete nga Izraeli.
Izraeli ka kontrolluar dhe kufizuar furnizimet që hynin në Gaza gjatë gjithë konfliktit, por vendosi një bllokadë të plotë që nga marsi deri në maj të vitit 2025, duke pretenduar se Hamasi po vidhte ndihmat për të financuar operacionet e tij ushtarake. Edhe pse kufizimet u lehtësuan pas presionit ndërkombëtar, në gusht u shpall zyrtarisht kriza e urisë në disa pjesë të Gazës.
Ndikimi i ofensivës izraelite në Gaza ka çuar në akuza për gjenocid, të cilat Izraeli i ka mohuar. Në shtator, ekspertë të pavarur të punësuar nga Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, thanë se shkalla e vrasjeve dhe shkatërrimit në Gaza plotëson kriteret e një gjenocidi; një deklaratë që Izraeli e ka kundërshtuar.
Lufta, e cila nisi nga një sulm i Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023 që vrau rreth 1,200 persona dhe mori 251 pengje, e ka shkatërruar Gazën në aspektin fizik dhe njerëzor. Pothuajse të gjithë palestinezët në territor janë zhvendosur, disa herë. Qytete të tëra janë kthyer në hi dhe beton të copëtuar. Dëshmitarët e sulmeve dhe mjekët në spitale e përshkruajnë situatën si të mbushur me “peizazhe pas-apokaliptike” dhe e cilësojnë si “ferri mbi tokë”.
Një përmbledhje e situatës:
– Më shumë se 67,000 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite, shumica civilë. Të paktën 20,000 janë fëmijë.
– Më shumë se 168,000 njerëz janë plagosur, shumë prej tyre me lëndime të ngjashme me ato të ushtarëve në beteja.
– Shumë të tjerë kanë vdekur nga uria, mungesa e strehimit, ilaçeve dhe përhapja e sëmundjeve infektive. Një studim në revistën mjekësore “The Lancet” sugjeron se jetëgjatësia në Gaza mund të jetë përgjysmuar gjatë vitit të parë të konfliktit.
Zyrtarë izraelitë kanë vënë në dyshim shifrat e dhëna nga autoritetet e Gazës, duke pretenduar se për shkak se qeveria lokale kontrollohet nga Hamasi, të dhënat nuk janë të besueshme.
Megjithatë, në shtator, ish-komandanti i ushtrisë izraelite Herzi Halevi deklaroi se mbi 200,000 palestinezë janë vrarë ose plagosur në luftë. Të dhënat që kanë dalë nga inteligjenca ushtarake izraelite tregonin se mbi 80% e të vrarëve janë civilë.
“Kjo nuk është një luftë e butë. I hoqëm dorezat që në minutën e parë,” tha Halevi.
Shkatërrimi i infrastrukturës
Fushata e bombardimeve ajrore dhe taktika e shkatërrimit të territoreve të pushtuara nga trupat izraelite ka çuar në dëmtimin ose shkatërrimin e 78% të ndërtesave të Gazës, duke prodhuar 61 milionë ton mbetje ndërtimi, prej të cilave rreth 15% mund të jenë të ndotura me azbest, mbetje industriale ose metale të rënda.
Më shumë se 80% e territorit të Gazës ndodhet nën urdhër evakuimi ushtarak ose zonë lufte, ku palestinezëve u ndalohet hyrja.
Sipas organizatave humanitare, rreth 2.1 milionë njerëz (95% e popullsisë) janë zhvendosur. Shumë prej tyre jetojnë në kampe me tenda ose strehime të mbipopulluara me kushte të rënda higjiene dhe mungesë të ujit të pijshëm.
Kriza humanitare
– 1 milion persona nuk kanë qasje në 6 litra ujë të pijshëm në ditë.
– 500,000 njerëz mbijetojnë me më pak se 9 litra në ditë, vetëm 1/10 e sasisë para luftës.
Kriza arsimore
– 745,000 nxënës janë jashtë shkollës për më shumë se dy vite.
– 88,000 studentë të universiteteve kanë ndërprerë studimet.
– Më shumë se 90% e shkollave, 79% e universiteteve dhe 60% e qendrave të formimit profesional janë dëmtuar ose shkatërruar.
Sistemi shëndetësor në kolaps
– Vetëm 14 nga 36 spitalet janë pjesërisht funksionale.
– Shumica e spitaleve janë dëmtuar, disa janë shembur plotësisht.
– OBSH raportoi se janë kryer “735 sulme ndaj shëndetësisë”, me 917 njerëz të vrarë dhe 1,411 të plagosur.
Punonjësit e vrarë nga sulmet
16 spitale në jug të Gazës, të ngritura nga OJQ-të dhe qeveritë e huaja, ofrojnë kujdes të përkohshëm, por edhe ato, si dhe spitalet që kanë mbetur, janë shpesh të mbingarkuara.
Kapaciteti i shtretërve arriti 240% në spitalin “al-Shifa” dhe 300% në “al-Ahli”, të dy spitalet në veri të Gazës. Pothuajse të gjitha spitalet kanë pësuar dëmtime nga sulmet izraelite dhe një prej tyre është shkatërruar plotësisht nga ushtria izraelite.
Mjekë dhe personeli mjekësor u vranë, u plagosën, u arrestuan dhe u torturuan nga forcat izraelite gjatë këtyre operacioneve.
Zyrtarët mjekësorë në Gaza thanë se kufizimet që Izraeli ka vendosur për hyrjen e barnave në territor kanë bërë që shumë trajtime thelbësore të jenë të pamundura, ndërsa pajisjet mjekësore janë bërë të papërdorshme. Kjo i ka lënë spitalet edhe më të papërgatitura për të trajtuar të plagosurit e luftës ose ata që vuajnë nga sëmundjet e shkaktuara apo të përkeqësuara nga mungesa e strehës, ushqimit dhe ujit të pastër.
Sipas OKB-së, janë dokumentuar 400 vdekje të lidhura me kequshqyerjen, përfshirë 101 fëmijë, që nga fillimi i konfliktit, shumica gjatë muajve të fundit. Dhjetëra mijëra fëmijë aktualisht ndodhen në programe emergjente ushqimi.
Në gusht, ekspertë të mbështetur nga OKB shpallën zyrtarisht uri në disa zona të Gazës. Punonjësit e ndihmës humanitare thanë në tetor se shumica e nënave shtatzëna në Gaza hanin vetëm një vakt në ditë.
Trashëgimia kulturore
Xhami mesjetare, tregje osmane, kisha dhe vende antike janë shkatërruar ose dëmtuar rëndë.