26.9 milionë denarë për pajisje që nuk përdoren: Zbulohen keqpërdorime serioze në Spitalin e Prilepit

nga Xh M

Prilep, 18 nëntor – Enti Shtetëror i Revizionit ka përfunduar kontrollin e pasqyrave financiare dhe të respektimit të rregullativës në punën e Spitalit të Përgjithshëm me veprimtari të zgjeruar në Prilep për vitin 2024. Rezultati: mendime të pafavorshme për saktësinë e të dhënave financiare dhe për përputhshmërinë e transaksioneve me ligjin.

Revizioni ka zbuluar parregullsi serioze. Një pjesë e obligimeve janë evidentuar dhe paguar me vonesë, në mënyrë selektive dhe pa kontroll të brendshëm. Tek disa furnitorë janë bërë pagesa avansi pa fatura të bashkëngjitura, në vlerë mbi 8 milionë denarë.

Gjithashtu, mallra dhe shërbime në vlerë prej 15.7 milionë denarësh janë prokuruar pa ndjekur procedurë të prokurimit publik, ndërsa në disa raste është vërejtur zbatim i pasaktë i Ligjit për Prokurime Publike.

Veçanërisht problematike është blerja e pajisjeve mjekësore në vlerë prej 26.9 milionë denarësh, një pjesë e të cilave – edhe pse jo të domosdoshme – nuk janë vënë fare në funksion.

Parregullsi të shumta janë konstatuar edhe në punën e arkës:
– Nuk janë lëshuar fatura fiskale për shërbime shëndetësore në vlerë prej 4.4 milionë denarësh.
– 5.5 milionë denarë të pranuar në para të gatshme nuk janë derdhur në llogarinë e spitalit, por janë paguar drejtpërdrejt nga arka, në kundërshtim me Ligjin për shërbimet e pagesave dhe sistemet pagesore.

Paratë e gatshme janë përdorur për pagesa ndaj personave fizikë pa kontrata pune, për derivate pa prova për përdorimin e automjeteve, si dhe për shpenzime përfaqësimi pa dokumentacion mbështetës. Është konfirmuar se limiti i arkës prej 60 mijë denarësh është tejkaluar rëndë – në disa periudha në arkë janë gjetur deri në 2.3 milionë denarë para të gatshme nga participimet.

Deri në fund të vitit 2024, spitali ka pasur kërkesa të papaguara në vlerë prej 20.4 milionë denarësh, më të vjetra se tre vjet, për të cilat nuk janë ndërmarrë aktivitete për mbledhje.

Revizioni ka zbuluar parregullsi edhe në angazhimin e 131 personave me kontratë vepre, me pagesa që arrijnë 41.9 milionë denarë, ndërsa një pjesë e kontratave nuk kanë përmbajtur shumat e përcaktuara të kompensimit.

Spitali nuk ka respektuar detyrimin për t’u regjistruar si pagues i TVSH-së. Nga gjithsej 6.74 milionë denarë të faturuar për qira të hapësirave, 1.21 milionë denarë TVSH nuk janë paguar.

Evidenca kontabël dhe ajo materiale nuk kanë qenë të harmonizuara, ndërsa nuk është realizuar inventar i plotë i mjeteve, obligimeve dhe kërkesave.

Për shkak të parregullsive të konstatuara dhe dyshimeve për keqpërdorim të mjeteve, Enti Shtetëror i Revizionit ka dhënë rekomandime për përmirësim. Ndërkohë, më 22 tetor 2025, Prokuroria Themelore Publike në Prilep ka hapur hetim ndaj 32 personave fizikë dhe juridikë për keqpërdorime në prokurime publike dhe menaxhim të mjeteve në Spitalin e Përgjithshëm “Borka Taleski”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More