Shkup, 6 qershor – Presidentja Gordana Siljanovska Davkova, me rastin e festës së madhe myslimane Kurban Bajram, i dërgoi një mesazh urimi kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame, Reis-ul-Ulema h. hfz. Shakir ef. Fetai dhe të gjithë besimtarëve të besimit islam.
“Më lejoni që personalisht t’ju shpreh urimet e mia më të ngrohta juve, anëtarëve të Rijasetit, myftinjve, imamëve dhe të gjithë besimtarëve të besimit islam në këtë vend, me rastin e festës së madhe myslimane – Kurban Bajramit dhe nga thellësia e zemrës t’ju uroj që ditët e festave të kalojnë me shëndet të mirë, të mbushura me lumturi, gëzim dhe dashuri. Si një festë dhurimi dhe ndihme, Kurban Bajrami nxjerr në pah fisnikërinë e njeriut, duke na motivuar të kujdesemi për të gjithë pjesëtarët e komunitetit. Si shoqëri, ne gjithmonë jemi dalluar për solidaritetin, bashkimin, respektin dhe kujdesin tonë, dhe duhet të vazhdojmë ta ruajmë dhe kultivojmë këtë”, thotë presidentja në mesazhin e saj të urimit.
Jetojmë në kohë komplekse dhe dinamike me ndryshime tektonike politike dhe ekonomike në nivel global, thotë Siljanovska Davkova, duke shtuar se ato kërkojnë mençuri, bashkim, vullnet dhe këmbëngulje të fortë.
Le të mbështetemi te njëri-tjetri, të zhvillojmë empati dhe solidaritet dhe të mbrojmë në mënyrë themelore mirëqenien e të gjithë bashkëqytetarëve tanë dhe prosperitetin e atdheut, shkruan presidentja Siljanovska Davkova.