Mbi 40 mijë investitorë në tregun e sipërmarrjeve të investimeve kolektive

nga D. V.

Tregu i Sipërmarrjeve të Investimeve Kolektive (SIK) vijoi trendin pozitiv të rritjes gjatë tremujorit të parë të vitit 2025, duke reflektuar një zgjerim të ndjeshëm si në vlerën e aseteve, ashtu edhe në pjesëmarrjen e investitorëve.

Sipas të dhënave të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), më 31 mars 2025 vlera neto e aseteve në tregun SIK arriti në 67,01 miliardë lekë, ose rreth 675 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 5,65 miliardë lekë, që përkthehet në një rritje prej 9,21%, krahasuar me fundin e vitit 2024.

Të dhënat treguan se numri i investitorëve në këtë treg ka kaluar shifrën e 40 mijë, një rritje prej 6% krahasuar me fundin e vitit 2024.

Fondet e investimit me pjesëmarrje të hapur dhe ofertë publike përbëjnë pjesën më të madhe të tregut, me një vlerë neto të aseteve prej 60,96 miliardë lekë, ose afërsisht 614 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 10,08% nga fundi i vitit të kaluar.

Në tregun SIK kanë operuar gjashtë shoqëri administruese të licencuara nga AMF, prej të cilave katër janë me kapital vendas dhe dy me kapital të huaj. Deri në fund të tremujorit të parë, numri i përgjithshëm i fondeve të investimit arriti në tetëmbëdhjetë, nga të cilat katër janë fonde alternative.

Struktura e investimeve në tregun e sipërmarrjeve të investimeve kolektive vijon të dominohet nga titujt qeveritarë, si bono thesari dhe obligacione, të cilët zënë 78,75% të totalit të investimeve. Ndërkohë, 5.69% e aseteve janë të investuara në tregjet financiare ndërkombëtare.

Rritja e vazhdueshme e vlerës së aseteve dhe e numrit të investitorëve dëshmon për besimin në rritje që individët dhe subjektet ekonomike po tregojnë ndaj tregut të fondeve të investimit, si dhe për rolin e rëndësishëm që ky sektor po merr në zhvillimin e mëtejshëm të tregjeve kapitale në Shqipëri.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More