Poezi nga: Eugenio Montale
Përktheu: Anton Papleka
Kriteri ishte vendosur qysh më parë,
së pari imitues, censurues,
vlerëmohues, arrivistë
që, nganjëherë, e lejonin ndonjë të harruar
të nxirrte kokën mbi ujë.
Ardhmëria e poezisë është në duart e njerëzve
me gjykim arbitrar.
Poezia është bërë objekt skedash
të mbushura nga të ashtuquajturit njohës
të cilët nuk e dinë se u mungon
atributi i duhur.
Të lumtë. Të lumtë dora dhe mendja
shkruajnë ata të bashkuar në kor,
po kush janë këta njerëz?
Spekulatorë fjalësh
ose politikanë të penës
që hidhen përpjetë nga gëzimi
kur i homologojnë të gjithë.
Por më pas ata e zbulojnë lojën e tyre:
ta bëjnë gjithçka të paformë, të rrafshojnë gjithkënd.
Dhe ky projekt i turpshëm do të çojë Italinë
drejt rrënimit të pashmangshëm moral.
