Shqiptarët si njësi ekonomike të përjashtuara nga inovacioni në botën digjitale

nga L. M

Të rinjtë shqiptarë janë pothuajse gjithmonë online, por teknologjia i trajton si konsumatorë të varfër, jo si krijues të inovacionit.

Në një epokë ku interneti dhe teknologjia kanë kapur çdo cep të jetës, të rinjtë shqiptarë nuk mungojnë në rrjete apo aplikacione. Por përkundër kësaj pranisë masive online, ata mbeten jashtë çdo logjike zhvillimi dhe inovacioni. Në fakt, janë pikërisht ata që e paguajnë këtë përjashtim me varfëri.

Sipas Eurostat, 99% e të rinjve shqiptarë të moshës 16–29 vjeç ishin çdo ditë online gjatë vitit 2024. Megjithatë, vetëm 51% prej tyre zotërojnë aftësi digjitale bazë. Një përqindje tronditëse, kur mendon se mesatarja e Bashkimit Europian është 71%. Shqiptarët, edhe pse në internet çdo sekondë, janë përjashtuar nga aftësia për të prodhuar, për të ndërtuar, për të inovuar.

Ndërsa në vendet e zhvilluara aftësitë digjitale janë një mjet për emancipim dhe progres, në Shqipëri ato janë një pengesë. Të rinjtë janë trajtuar si njësi të nënkuptuara, si “foundament” i sistemit digjital – thjesht mekanizma ekonomikë, që blejnë, klikojnë, shikojnë. Por asnjëherë nuk krijojnë. Dhe pikërisht për këtë, çdo inovacion teknologjik është një gol i pësuar nga shqiptari – një risi që ai e paguan me mungesë mundësish, me përjashtim, me prapambetje.

Një shoqëri që konsumon teknologji pa e zotëruar atë, është e dënuar të mbetet një treg i lirë për ide që vijnë nga jashtë. Në këtë model, shqiptari nuk është pjesë e së ardhmes – ai është referencë e të kaluarës. Ai nuk ndërton teknologji, ai e përdor. Dhe më pas, i del përpara faturës së saj: varfëri, izolim, e margjinalizim.

Edhe më ironike është barazia gjinore në injorancë digjitale. Ndryshe nga vendet e BE-së ku femrat po tejkalojnë meshkujt në aftësi teknologjike, në Shqipëri niveli është njësoj i ulët – 51% për të dyja gjinitë. Kjo tregon që përjashtimi është i barabartë dhe masiv, pa dallim.

Njohuritë digjitale në 2023, burimi Eurostat, Monitor

Ndërkohë, vendet si Holanda apo Irlanda kanë krijuar një kohezion të plotë digjital. Aty 100% e të rinjve dhe mbi 98% e të rriturve janë online çdo ditë, duke reflektuar jo vetëm akses, por edhe përfshirje të thellë në transformimin teknologjik të shoqërisë. Shqipëria, në kontrast të plotë, mbetet me një hendek të thellë mes brezave dhe pa asnjë strategji reale për të mbushur këtë boshllëk.

Në përfundim, shqiptari në epokën digjitale është një llogari që numërohet, një klikim që shitet, një shikues që i shërben algoritmit. Por ai nuk është kurrë zëri pas risisë, mendja pas teknologjisë apo autori i së ardhmes. Dhe ky është dënimi i heshtur që i është rezervuar – të jetë themel i padukshëm mbi të cilin ngrihen përfitimet e të tjerëve.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More