BDI: Shqiptarët të padëshiruar në Ministrinë e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale

nga Redaksia

Shkup, 24 korrik – Bashkimi Demokratik për Integrim reagon me shqetësim të thellë ndaj qasjes skandaloze të Ministrisë së Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, ku sipas të dhënave zyrtare, raporti i të punësuarve të fundit është 19 maqedonas ndaj vetëm 1 shqiptari.

Ky nuk është një devijim administrativ apo një rastësi burokratike, kjo është politikë shtetërore e përjashtimit sistematik të shqiptarëve, e cila po realizohet me vetëdije të plotë dhe me përkrahje të qartë politike.

Kjo padrejtësi buron drejtpërdrejt nga programi politik i kësaj qeverie jolegjitime, që shfuqizoi mekanizmin e balancuesit, një mjet thelbësor për garantimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të të gjitha bashkësive etnike në administratën publike dhe shtetërore.

Qeveria ka ndërmarrë hapa të rrezikshëm për të shkatërruar themelet e barazisë ndëretnike në shtet, duke vepruar si një aparat pararendës politik, që i shërben ekskluzivitetit etnik në dëm të përfshirjes dhe barazisë që e garanton Kushtetuta e vendit.

BDI e konsideron këtë zhvillim si shkelje flagrante të Marrëveshjes së Ohrit, të rendit kushtetues dhe të parimeve bazë të demokracisë. Përjashtimi i shqiptarëve nga institucionet nuk është vetëm padrejtësi, është akt destabilizues që cënon themelet e shtetit multietnik dhe rrugën euroatlantike të vendit.

BDI kërkon korigjim urgjent të këtij diskriminimi, rikthim të balancuesit kushtetues si garanci për barazi, dhe transparencë të plotë në përbërjen e të gjitha institucioneve publike dhe shtetërore.

Ne do të mbetemi në ballë të betejës për barazi të plotë, drejtësi institucionale dhe mbrojtje të të drejtave kolektive të shqiptarëve në çdo sektor të shtetit.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More