Kompania indiane Tata Motors ka njoftuar planet për të blerë grupin italian Iveco për 3.8 miliardë euro (4.4 miliardë dollarë), me synimin për të krijuar një “kampion global” në sektorin e automjeteve tregtare.
Marrëveshja përjashton divizionin e mbrojtjes së Ivecos, i cili do të shitet veçmas kompanisë italiane të mbrojtjes dhe aeronautikës, Leonardo, për 1.7 miliardë euro.
Kompania e bashkuar pritet të shesë rreth 540,000 automjete në vit dhe të arkëtojë të ardhura totale prej 22 miliardë eurosh, ku rreth gjysma e shitjeve pritet të vijë nga Europa, 35% nga India dhe 15% nga Amerika.
Tata dhe Iveco, të cilat gjithashtu prodhojnë motorë dhe autobusë, thanë në një deklaratë të përbashkët se nuk ka mbivendosje në aktivitetet dhe zonat gjeografike të tyre, duke krijuar kështu një entitet më të fortë dhe më të diversifikuar që do të përdorë një vizion strategjik të përbashkët për rritje afatgjatë.
Mbyllja e marrëveshjes pritet në tremujorin e parë të vitit 2026, duke forcuar praninë e Tata në Evropë, ku Jaguar Land Rover është tashmë një filial i saj në pronësi të plotë.
Kryetarja e Iveco-s, Suzanne Heywood, tha se perspektivat e reja janë shumë pozitive për sigurinë e vendeve të punës dhe për prani industriale të grupit Iveco në tërësi.