Në fshatin piktoresk të Boboshticës, besimtarë të shumtë ortodoksë nga zona e Korçës dhe më gjerë u mblodhën të premten për të marrë pjesë në kremtimin e Fjetjes së Shën Marisë, e njohur ndryshe si Pashka e Verës.
Liturgjia Hyjnore, e cila nisi në orën 9:00 të mëngjesit, u drejtua nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Joan Pelushi.
Atmosfera në oborrin e kishës ishte e mbushur me devotshmëri e përulësi, teksa besimtarët morën pjesë në lutje e këngë kishtare, duke përkujtuar jetën dhe virtytet e Tërëshenjtes.
Në fjalën e tij, Kryepiskopi theksoi se kjo është një festë e gëzuar, pavarësisht se përkujton fjetjen, pra ndarjen nga jeta të një personi.
Duke përshkruar jetën e Shën Marisë, Kryepiskopi Joan Pelushi e cilësoi atë si shembull të përulur e të heshtur, gjithmonë të gatshme për të ndihmuar çdo njeri, pa u ankuar dhe pa folur kundër askujt.
“Sot ne përkujtojmë fjetjen e Tërëshenjtës dhe kjo është një festë shumë e gëzuar. Ne përkujtojmë fjetjen e një personi, pra vdekjen e tij. Këtë festë kisha e ka quajtur ‘Pashka e Verës’. Ne jemi shumë të gëzuar sepse Zoti e mundi vdekjen, hapi rrugën për gjithësecilin nga ne për ta mundur vdekjen. Zoti zgjodhi pikërisht këtë grua sepse ajo ishte me virtytet më të larta që mund të ketë një njeri. Ajo ishte gjithmonë e heshtur, nuk fliste shumë, nuk qeshte me zë të lartë. Gjithmonë ishte e gatshme për të ndihmuar çdo njeri, asnjëherë nuk u ankua dhe nuk foli kundër të tjerëve. Çdo lëvizje e saj ishte e mrekullueshme saqë të gjithë habiteshim me hirin që dilte nga ky person. Nuk mjafton vetëm të dëgjojmë fjalët e Perëndisë, por t’i ruajmë në zemrën tonë. Tërëshenjta nuk bëri vetëm detyrën e saj si nënë, por ruajti fjalët e Zotit në zemrën e saj. Nëse fjalët e Zotit nuk i dëgjojmë dhe nuk i praktikojmë në jetën e përditshme nuk do të kemi shërim shpirtëror.”
Në fund të mesazhit, Kryepiskopi i ftoi besimtarët t’i luten Zotit, jo vetëm për lehtësimin e vështirësive të jetës, por mbi të gjitha për shpëtimin e shpirtrave, duke iu referuar edhe rreziqeve të mëdha nga zjarret që po prekin vendin.
“Kisha i kërkon Tërëshenjtës për të na ndihmuar në rreziqet e mëdha që kanë ardhur nga zjarri sot. Çdo lutje e denjë mund të dëgjohet nga Perëndia, prandaj le t’i lutemi Zotit, jo vetëm për të na lehtësuar nga vështirësitë e jetës, por t’i lutemi Perëndisë për shpëtimin e shpirtrave tanë. Amin!”
Boboshtica u shndërrua këtë të premte në një qendër të rëndësishme pelegrinazhi dhe lutjeje, ku besimi dhe tradita u bashkuan në nder të Tërëshenjtes.
Festimi i Fjetjes së Shën Marisë mbetet një moment i veçantë reflektimi shpirtëror për besimtarët, duke rikujtuar se virtyti, përulësia dhe dashuria për tjetrin janë rruga më e sigurt drejt Zotit./ CNA