Shkup, 15 gusht – PPRMV sot pasdite informon se duke pasur parasysh reagimin publik të Biljana Ivanovskës, ish kryetare e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) e cila publikoi kandidaturën për kryetare të Qendrës dhe ka marrë thirrje për tu marrë në pyetje për kallëzim penal privat, prokurorja kompetente publike me telefon e ka kontaktuar Ivanovskën dhe i kanë dhënë mundësi që nëse dëshiron dhe nëse deklaratën në prokurorinë publike e ndjen si ndonjë formë të presionit, e njëjta të shtyhet deri në përfundimin e zgjedhjeve.
Që të parandalohen çfarëdo lloj spekulimesh, Prokuroria njoftoi se në lëndë vepron prokurorja publike Adella Bojçeviq.
Paraprakisht sot ish kryetarja e KSHPK-së, Biljana Ivanovska në profilin e saj në Fejsbuk njoftoi se policia mbrëmë i ka dorëzuar padi penale.
“Pas 11 orëve që shpalla kandidaturën time për kryetar komune të komunës Qendër, policë trokitën në derën time. Mbrëmë në orën 20:30, dy policë më kërkuan që të më dorëzojnë kallëzim penal, por unë nuk isha në shtëpi. Këtë mëngjes shkova menjëherë të merrja Ftesën nga PTHP Shkup për të parë se për çfarë bëhej fjalë. Më ftojnë për një intervistë më 19 gusht. Nuk kam asgjë për të fshehur, kam ndërgjegje të pastër dhe nuk kam frikë nga asnjë kërcënim dhe goditje të ulëta dhe presione. Qëllimi im është një jetë dinjitoze në Qendër dhe beteja jonë së bashku me ‘Të pavarur së bashku’ është një rezistencë kundër antivlerave të vendosura të korrupsionit dhe klientelizmit që na kanë çuar në këtë situatë”, shkruan Ivanovska.
Ajo thekson se në kohë do të informojë për situatën në lidhje me këtë kallëzim penal, por gjithashtu thekson se “adresë për informacion është edhe Prokuroria, pasi është institucioni kompetent”.
Nga ana tjetër, nga PPRMV theksojnë se një prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup po vepron mbi një padi penale private të paraqitur më 18 shkurt 2025 dhe po ndërmerr veprime për të verifikuar akuzat.
“Një nga veprimet është marrja në pyetje e personit të lartpërmendur, që ishte kryetar i KSHPK-së gjatë periudhës për të cilën bëhet fjalë në paraqitjen. Thirrja për marrje në pyetje nga Prokuroria është dërguar më 25.07.2025 dhe nuk mund të lidhet në asnjë mënyrë me aktivitetet politike të të ftuarës”, theksojnë nga Prokuroria.