Në një ankand është shitur një veturë e veçantë e bazuar në Volkswagen Beetle, e cila dikur kushtonte më shumë se një Rolls-Royce i ri. Madje këtë fakt e kishte reklamuar vetë Volkswagen në kohën kur u krijua makina. Pesëdhjetë e pesë vjet pas krijimit, automjeti u shit në ankand dhe arriti një çmim mbresëlënës.
John von Neumann, një tregtar me ndikim i Volkswagenit në bregun perëndimor të Shteteve të Bashkuara, dëshironte të krijonte një makinë që do t’i shërbente edhe si reklamë.
Ai porositi në kompaninë amerikane, Troutman-Barnes modifikimin e një Volkswagen Beetle të zakonshëm në një limuzinë. Rezultati ishte një Beetle me një gjatësi më të madhe ndërmjet boshteve për një metër dhe me shumë detaje luksoze që e bënin këtë makinë unike në klasën e saj. Motori u përmirësua nga versioni origjinal 1.5-litërsh boxer në një 1.6-litërsh më të fuqishëm me karburatorë Weber, për të përballuar më lehtë peshën shtesë prej 180 kilogramësh.
Brendësia e saj përfshin materiale ekskluzive si mahagoni, vinil të zi dhe mbulesa prej pëlhure angleze. Gjithashtu makina ishte e pajisur me minibar, interfon, pesë altoparlantë dhe kasetofon.
Modifikimi kushtoi plot 35 mijë dollarë – një shumë shumë e madhe për atë kohë. Kjo e bëri këtë Beetle më të shtrenjtë se një Rolls-Royce Silver Shadow i ri, që atëherë kushtonte rreth 30 mijë dollarë.
Vetë Volkswagen e promovoi makinën në një fushatë reklamuese me emrin “Beetle prej 35 mijë dollarësh”. Thuhet se në këtë Beetle luksoze është transportuar edhe John Wayne për në ndarjen e çmimeve Oscar në vitin 1970.
E quajtur “Rollswagen”, kjo Beetle u përdor si mjet promovues nga Volkswagen of America deri në fund të viteve 1970, para se të shitej në ankand. Më vonë përfundoi në pronësi të një tregtari të njohur të Volkswagenit në Kaliforni, dhe sot ndodhet në duart e një koleksionisti.
Limuzina unike e Volkswagenit u shit në ankand në Monterey të Kalifornisë në mesin e muajit gusht. I gjithë procesi u drejtua nga shtëpia e ankandeve RM Sotheby’s, dhe pritej që makina të arrinte një çmim rreth 180 mijë euro. Por çmimi i shitjes i tejkaloi pritshmëritë – vetura u shit për 335 mijë dollarë, që është pak më shumë se 286 mijë euro.