Eurostat: Shqipëria kryeson në Evropë për nevojat mjekësore të paplotësuara

nga L. M

Shqipëria mban vendin e parë në Evropë për përqindjen e popullsisë mbi 16 vjeç, që në vitin 2024 deklaruan se kishin nevoja mjekësore të paplotësuara, sipas të dhënave të publikuara sot nga Eurostat.

Të dhënat tregojnë se 15.2% e shqiptarëve raportuan vështirësi në marrjen e shërbimeve shëndetësore, përqindja më e lartë në kontinent dhe dukshëm mbi mesataren evropiane prej 3.8%.

Pas Shqipërisë renditet Greqia me 13.4%, ndërsa në krahun tjetër të shkallës janë Qipro me 0.2% dhe Malta me 0.7%.

Në rajon, vetëm 2.8% e malazezëve, 6% e maqedonasve dhe 8.2% e serbëve deklaruan se kishin nevoja mjekësore të paplotësuara, ndërsa të dhënat për Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën mungojnë.

Edhe pse shëndetësia në parim është falas, arsyeja kryesore që shqiptarët përmendin është kostoja e lartë e shërbimit: 8.8% e tyre deklarojnë se nuk arrijnë të marrin kujdesin mjekësor për shkak të shtrenjtësisë, një shifër që është e dyta më e lartë në Evropë pas Greqisë (9.1%) dhe shumë mbi mesataren evropiane prej vetëm 1%.

Për krahasim, kjo arsye përmendet nga vetëm 0.9% e malazezëve dhe nga 1.8% e qytetarëve në Serbi e Maqedoninë e Veriut.

Shkaqe të tjera të raportuara janë largësia për të udhëtuar (0.3%), listat e gjata të pritjes (1.1%), mungesa e kohës (1%), si dhe vendimi për të pritur nëse problemi do të kalonte vetë (2%). Kjo e fundit është veçanërisht e lartë në Shqipëri, ku shqiptarët renditen pas Danimarkës dhe Norvegjisë, përkundrejt një mesatareje evropiane prej vetëm 0.4%.

Në nivel evropian, arsyet më të zakonshme për nevojat e paplotësuara për kujdes mjekësor lidhen me listat e pritjes dhe koston e lartë, të cilat përbëjnë më shumë se gjysmën e rasteve të raportuara. Në disa vende si Gjermania, Irlanda, Spanja apo Finlanda, arsyeja kryesore është pritja e gjatë, ndërsa në shtete si Belgjika, Franca, Greqia dhe Italia dominuese janë kostot. Në vende të tjera, si Danimarka, Kroacia apo Çekia, më e përhapur është dëshira për të parë nëse gjendja përmirësohet vetë.

Sipas Eurostat, faktorët demografikë ndikojnë gjithashtu: 1.9% e qytetarëve të moshës 16–44 vjeç në BE raportuan nevoja të paplotësuara për kujdes mjekësor, kundrejt 2.6% për moshat 45–64 vjeç dhe 3.3% për ata mbi 65 vjeç.

Megjithatë, raporti vëren se nuk ekziston një model universal midis vendeve. Në Shqipëri, sfida kryesore mbeten kostot dhe listat e pritjes, duke e vendosur vendin në krye të renditjes evropiane për mungesën e aksesit të plotë në shërbimet shëndetësore. /Albanianpost.com

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More