Policia e Kumanovës ka ngritur kallëzime penale kundër tre personave nga Kumanova, përfshirë një të mitur, për shkaktim zjarri në lagjen “Bavçi” duke djegur kabllo për të nxjerrë bakër, kumtoi sot policia.
“SPB Kumanovë ngriti kallëzim penal kundër R.R. (29), A.A. (28) dhe një djali 14-vjeçar, të gjithë nga Kumanova, për shkak të ekzistencës së bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Më 13 korrik, në vendin e quajtur “Bavçi” në Kumanovë, të akuzuarit kanë djegur kabllo me qëllim nxjerrjen e bakrit, gjatë së cilës zjarri u përhap dhe përfshiu barin e thatë në rrethinë”, kumtoi MPB-ja.

Kumanovarët kërkojnë vazhdimisht mbikëqyrje të shtuar inspektuese, sanksione për qytetarët e pakujdesshëm që ndezin zjarre në ambiente të hapura dhe veprime proaktive nga institucionet kompetente. Gjatë verës, me vendim të shtabit komunal të krizës, u formuan ekipe kujdestarie për të patrulluar zonën nga Përkujtimorja deri në hyrje të vendbanimit “Pero Çiço”, përfshirë vendbanimin “Bavçi”, ku njerëz të pakujdesshëm djegin vazhdimisht mbeturina, shkaktojnë deponi të paligjshme dhe djegin kashtë. Më shumë se një e treta e zjarreve në zonën urbane janë pikërisht në këtë zonë.