Shkup, 10 shtator – Zjarret në deponinë në Drislla dhe Vardarishte janë të qëllimshme sipas kryeministrit dhe shkaktohen nga ata që kjo u shkon përshtat në prag të zgjedhjeve. Mickoski thotë se nuk ka zgjidhje ad-hoc për ndotjen e shkaktuar gjatë ditës nga këto dukuri por premton zgjidhje në Drislla pasi të marrë pushtetin në Qytetin e Shkupit.
“Vardarishten nuk e kemi krijuar ne për këto 15 muaj. Ajo është krijuar për 35 e më shumë vjet. Por, ne do ta zgjidhim. Ashtu siç do ta rregullojmë Drisllën kur t’i marrim kompetencat, do ta paketojmë dhe do të ngjajë me deponi modern evropiane me fabrikë që do të prodhojë energji elektrike dhe e cila do t’i mbledhë mbeturinat dhe do t’i riciklojë. Do të jetë partneritet publik-privat, e them që tani, përmes tenderit publik me kritere të qarta… Metani që rrezaton mund të fiket sot por ai përsëri rrezaton dhe ndizet vetëm me një bisht cigareje. Dhe këtë na e bëjnë secilën ditë. Tani, kujt i përshtatet kjo temë para zgjedhjeve? Neve sigurisht që jo. Nëse doni ta dini kush e bën gjithë këtë, shikoni se kush përfiton”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
LSDM-ja thotë se dukuritë e dëmshme në Drislla dhe në Vardarishte janë dështim i sistemit të menaxhimit të mbeturinat, të kësaj qeverie.
“Pas Vardarishtes, zjarri në Drisla u dha fund banorëve të Shkupit. Kjo është prova më e mirë e menaxhimit të papërgjegjshëm dhe të paaftë të qytetit nga VMRO-DPMNE. Për katër vjet, ata nuk kanë pasur asnjë zgjidhje sistematike për menaxhimin e mbeturinave, ndërsa rreziku për shëndetin e banorëve të Shkupit po rritet çdo ditë. Në vend të masave konkrete, kemi marrë vetëm populizëm dhe premtime boshe. Ndërsa qyteti po mbytet në mbeturina dhe tym, ata mbajnë konferenca shtypi për festivale joreale dhe parqe në tokë të kontaminuar, për pikë politike”, u shpreh Kaja Shukova, LSDM, Kandidate për Qytetin e Shkupit.
Kryeministri konfirmoi se qeveria nuk e ka në plan të marrë komptencat nga Qyteti i Shkupit, për menaxhimin me Drisllën. /Alsat.mk