Dumani: Rritje e besimit në SPAK, referimet nga qytetarët u rritën me 36%

nga D. V.

Drejtuesi i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Altin Dumani tha sot se ka një rritje të besimit të qytetarëve tek SPAK.

Gjatë fjalës së tij në takimin e nivelit të lartë me institucionet e drejtësisë të organizuar nga Mbretëria e Holandës dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Dumani tha se rritja e besimit të publikut vihet re tek numri i lartë i referimeve nga qytetarët, një rritje në masën 36% në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023.

“Në kohën kur besimi tek drejtësia si një e tërë është i brishtë dhe pritshmëritë e publikut janë të larta, çdo veprim i SPAK është mbështetur jo vetëm në ligj, por edhe në përgjegjësi transparencë dhe profesionalizëm.

“Struktura e Posaçme është angazhuar me seriozitet dhe përkushtim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe kjo ka sjellë dhe rritjen e besimit të publikut tek ky institucion. Një nga treguesit e këtij besimi është edhe numri i lartë i referimeve nga qytetarët një rritje që për vitin 2024 krahasuar me vitin 2023 është në masën 36%”, tha Dumani.

Dumani shtoi se pavarësia dhe llogaridhënia janë shtyllat kryesore ku mbështet veprimtaria e SPAK.

“Prokurorët e SPAK në ushtrimin e funksioneve të tre veprojnë dhe marrin vendime në mënyrë të pavarur bazuar në parimet e ligjshmërisë objektivitetit dhe paanshmërisë”, tha Dumani.

Dumani nënvizoi gjithashtu se SPAK përballet edhe me një sërë sfidash prej të cilave veçoi “mbingarkesën proceduriale, pamjaftueshmërinë e stafit dhe infrastrukturës”.

Dumani tha gjithashtu se “sistemi i administrimit të çështjeve tashmë është funksional megjithëse jo në 100% të kapacitetit të tij, por është funksional dhe shpresojmë që në fund të vitit të jetë plotësisht funksional në 100% të kapacitetit të tij”.

Gjithashtu drejtuesi i SPAK tha se “partnerët tanë Euralius, Opdat, Europol dhe FBI përmes mbështetjes me trajnime dhe asistencë teknike kanë kontribuar ndjeshëm në rritjen e kapaciteteve të hetimit penal e financiar, por edhe në kultivimin e integritetit dhe pavarësisë në ushtrimin e funksioneve tona”.

“Ne duhet të tregojmë jo vetëm rezultate, por edhe maturi dhe integritet në zbatimin e ligjit”, tha Dumani.

Projekti “Forcimi i Integritetit Gjyqësor në Shqipëri”, një projekt MATRA i financuar nga Mbretëria e Holandës, synon të forcojë profesionalizmin, etikën dhe besimin e publikut tek gjyqësori shqiptar pas procesit të vetting-ut. Përmes ofrimit të trajnimeve të vazhdueshme, punëtorive dhe shkëmbimit të njohurive me ekspertë gjyqësorë holandezë, projekti synon të garantojë qëndrueshmërinë afatgjatë të reformave në drejtësi, duke u përqendruar tek përmirësimi i standardeve etike, mbështetja e magjistratëve dhe inspektorëve, si dhe promovimi i transparencës.

I shtrirë nga shtatori 2025, deri në dhjetor 2027, projekti do të përfshijë trajnime të tipit intervision për të nxitur reflektimin etik, duke u mundësuar magjistratëve të shqyrtojnë çështje të ndërlikuara dhe duke inkurajuar dialog të hapur përmes një platforme ku mund të shprehin pasiguritë, të marrin komente nga kolegët dhe të menaxhojnë çështje të ndjeshme.

Projekti përfshin gjithashtu një vizitë studimore në Holandë dhe zbatohet nga Qendra Holandeze e Trajnimit dhe Studimit për Gjyqësorin (SSR) në bashkëpunim me institucionet e drejtësisë shqiptare.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More