Shkup, 22 shtator – Është prishur radari i vetëm funksional në Kontrollin e Fluturimit të Navigacionit Ajror të Maqedonisë (M-NAV) në aeroportin e Shkupit, ka publikuar portali „SDK.mk“.
Kjo do të thotë se që nga mëngjesi i djeshëm kontrollorët e fluturimit nuk mund t’i shohin avionët në lartësi të ulët gjatë uljes.
Nga dy radarët, njëri që ndodhet mbi kullën e kontrollit dhe tjetri në afërsi të saj, ai që ka qenë në funksion tani është prishur.
Derisa të hiqet defekti, gjegjësisht derisa të arrijë pjesa nga Italia, kontrollorët do të duhet t’i ulin avionët një nga një.
Nëse ndodh të ketë disa avionë për ulje në të njëjtën kohë, ata do të duhet të qëndrojnë pak në ajër, derisa të ulet ai që është para tyre.
Lajmin për „SDK.mk“ e ka konfirmuar edhe drejtori i M-NAV, Vlladimir Risteski, duke theksuar se puna vazhdon normalisht, por me ritëm më të ngadalshëm. Sipas tij, më e rëndësishme është që nuk ka asnjë rrezik sigurie për uljen dhe ngritjen e avionëve në Aeroportin e Shkupit.
“Këto prishje teknike me natyrë elektronike janë dukuri normale në aviacion dhe kur ndodhin ka procedura të parashikuara të sigurisë në punë me qëllim që të vazhdohet ofrimi i shërbimeve ndaj kompanive ajrore në rrethana të tilla”, thotë ai.
Ndryshimi i vetëm, sipas tij, është rregullimi i numrit të avionëve që mund të shërbehen për një orë.
Kontrollorët e fluturimit këtë verë kërcënuan me grevë nëse nuk instalohet pajisje e re, duke paralajmëruar se jo vetëm radari i vjetër, por edhe softueri dhe pajisjet e tjera do të fillojnë të dështojnë.
Pasi morën garanci nga menaxhmenti i ri se do të instalohet pajisja e re, kontrollorët e përfaqësuar nga Sindikata e Kontrollorëve të Fluturimit e vendosën grevën në pezullim.