Nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu nënvizoi sot rëndësinë e bashkëpunimit mes mazhorancës dhe opozitës përtej ndasive politike, në funksion të procesit të integrimit europian të vendit.
Në një intervistë televizive, Spahiu u shpreh se “bashkëpunimi duhet të jetë sa më i frytshëm midis gjithë forcave politike dhe duhet vullnet shumë i fortë për të kaluar ndasitë politike”.
Spahiu komentoi edhe zhvillimet në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve, ndërsa u shpreh se “në vazhdim duhet të ketë një bashkëpunim shumë më të mirë mes kryetarëve të grupeve parlamentare”.
“Të paktën në këtë mandat 4-vjeçar kemi punë shumë intensive. Ky sesion parlamentar ka filluar pak me vonesë, puna duhet të kishte filluar. Ndaj duhet të intensifikojmë punën edhe me komisionet e reja që janë ngritur tashmë në mënyrë që detyrat që kemi për përafrimin e legjislacionit t’i realizojmë në kohën e duhur”, tha ajo.
Spahiu nënvizoi se në këtë proces Kuvendi ka peshën më të madhe.
“Uroj dhe shpresoj që ne t’ia dalim që brenda një kohe të shkurtër, përmes përdorimit të inteligjencës artificiale të bëjmë këtë përafrim sa më të saktë dhe të arrijmë ato detyra që i kemi vënë vetes. Nuk dua as ta mendoj se mund të ketë kolegë të opozitës që nuk duan që ky proces të vazhdojë ”, u shpreh Spahiu.
Sipas saj, për integrimin e vendit në BE duhet punë e përbashkët dhe konsensus për të miratuar ligjet në mënyrë që brenda vitit 2028 të kemi miratimin nga parlamentet e vendeve anëtare të BE-së.
Spahiu shprehu keqardhjen për vendimin e opozitës për mocion për shkarkimin e kryetarit të Parlamentit.
“Nëse jemi në këtë pozicion për të zbatuar rregulloren, detyra e kryetarit është të jetë mbi palët, por duke zbatuar gjithmonë rregulloren. Ftoj kolegët e mazhorancës dhe opozitës që gjuha jonë e përbashkët të jetë bashkëpunimi në të mirë të vendit. Sa më shpejt të fillojë funksionimi i punës në komisione, aq më mirë është për të gjithë”, tha ajo.
Sipas Spahiut “krijimi i 3 komisioneve të reja krijon hapësirë shumë më të madhe për opozitën sepse do të drejtohen nga opozita dhe janë shumë të rëndësishme”.