Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari priti sot në një takim drejtuesin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani.
Lamallari ndau me Dumanin prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë si pjesë e Programit Qeverisës 2025-2029, në përputhje të plotë dhe me detyrimet e ndërmarra në kuadër të negociatave me Bashkimin Evropian.
Shteti i së drejtës është themeli i Shqipërisë evropiane, theksoi Lamallari në një postim në rrjetet sociale.
Lamallari shtoi se, konsolidimi i pavarësisë së gjyqësorit dhe vijimi i mbështetjes për Reformën në Drejtësi mbeten prioritet absolut i qeverisë shqiptare.
Ky është takimi i parë që zhvillon Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari pas marrjes së detyrës në këtë pozicion.