​Walcott zbulon prapaskena me Xhakën sa ishin bashkë te Arsenali

nga L. M

Ish-ylli i Arsenalit, Theo Walcott, ka folur për marrëdhënien e tij me Granit Xhakën, duke pranuar se shpesh nuk e kishte kuptuar siç duhet ish-bashkëlojtarin e tij.

Në një prononcim në BBC Match of the Day, Walcott u shpreh se në kohën kur Xhaka ishte pjesë e Arsenalit, shpeshherë ai dhe tifozët nuk e kanë vlerësuar si duhet mesfushorin shqiptar të Zvicrës.

“Ndoshta edhe unë e kam keqkuptuar në disa momente. Për të qenë i sinqertë, gjithmonë e dëgjoje Xhakën në fushë, qoftë duke folur me një lojtar të ri, një lojtar me përvojë apo edhe me stafin. Ky karakter i tij ishte aty që ditën e parë,” tha Walcott.

Xhaka u largua nga Arsenali në verën e vitit 2023 për te Bayer Leverkusen, ku arriti të shpallej kampion i Bundesligës në sezonin 2023/24. Pas dy vitesh në Gjermani, ai bëri një rikthim surprizë në Premier League duke firmosur me Sunderland, ku menjëherë mori shiritin e kapitenit.

Walcott beson se përvoja e Xhakës në Gjermani dhe suksesi i arritur e kanë rritur nivelin e tij si lider:

“Flitet shumë për disiplinën e tij dhe kartonët e kuq, por përvoja e fituar në Gjermani e ka forcuar si lider. Ai kurrë nuk u fsheh kur gjërat shkonin keq, dhe tani kjo përvojë po ndez Sunderlandin,” shtoi ai.

Xhaka pritet të rikthehet në “Emirates” në shkurt, kur Sunderland të përballet me Arsenalin. Kjo do të jetë një ndeshje e veçantë për lojtarin 32-vjeçar, i cili dikur u përball me kritika të ashpra nga tifozët londinezë, por sot po përjeton një rilindje të vërtetë në Angli.

Një histori e rrallë rikthimi për Xhakën, nga momentet e vështira në Londër, tek lavdia në Gjermani dhe tani lidershipi në Stadium of Light.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More