Rritja e udhëtimeve dhe turizmit

nga L. M

Shqipëria u ngjit me shpejtësi në piedestalin e turizmit duke shënuar një zhvillim të vrullshëm gjatë tre viteve të fundit. Reklamimi i vendit në rrjetet sociale për bukuritë natyrore, çmimet e lira, trashëgimia e pasur historike, së bashku me vëmendjen që i dhanë mediat e huaja kanë tërhequr shumë turistë në vend, duke nxitur sipërmarrjet e përqendruara në aktivitetin e udhëtimeve. Në kahun tjetër, edhe shtetasit shqiptarë priren të udhëtojnë jashtë vendit, të nxitur nga shtimi i fluturimeve me kosto të ulët.

Hyrje-daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga deti, ajri, toka u rritën me 16% në vitin 2024. Për shtetasit vendas u shënuan gjithsej 7.9 milionë dalje, me rritje 13.9%. Hyrjet e shtetasve të huaj arritën në 11.7 milionë, ose 15% më shumë se një vit më parë. “Tirana International Airport” (TIA), që menaxhon me koncesion Aeroportin e Rinasit, historikisht një prej bizneseve më fitimprurëse në vend, raportoi rritje me 13% të të ardhurave në vitin 2024, duke arritur në një rekord prej 11.4 miliardë lekësh. 83% e të hyrave ishin të ardhura nga aviacioni, ndërsa pjesa tjetër e të ardhurave ishin nga shitjet, tarifat e reklamave, qiraja etj.

Aktiviteti i udhëtimeve ajrore është rritur me shpejtësi pas pandemisë, i nxitur nga hyrja e operatorëve me kosto të ulët dhe kthimi i Shqipërisë në një destinacion të preferuar turistik. Në vitin 2024 u shënua një rekord i ri. Të dhënat e INSTAT tregojnë se për vitin 2024 kishte rreth 10.7 milionë hyrje-dalje përmes ajrit, me rritje 46% me një vit më parë duke shënuar rekord historik.

Konkurrencë e fortë mes kompanive ajrore

Të ardhurat e “Wizz Air”, operatorit më të madh ajror në vend, nuk shfaqen në listën e “Monitor 200”. Që nga 2019-a, kur realizoi vetëm 6% të fluturimeve, “Wizz Air” e ka rritur me shpejtësi dominimin në tregun vendas. Në vitin 2021, kjo peshë arriti në 34%, duke u ngjitur në 58% në vitin 2022. Në vitin 2023, tendenca e rritjes vazhdoi, ndonëse me ritme shumë më të ngadalësuara, duke e mbyllur vitin në nivelin e 61%. Në 2024-n, “Wizz Air” humbi terren në pjesën e tregut për shkak të rritjes së konkurrencës, duke zbritur në 54.84%.

Ndonëse pesha e tregut u ul, numri i pasagjerëve që fluturuan përmes kësaj linje arriti në rreth 6.3 milionë në 2024-n, me rritje prej 37% në krahasim me vitin e mëparshëm.  Operatori tjetër me kosto të ulët, “Ryanair”, që hyri në treg në fund të 2023, në vitin e parë të plotë të aktivitetit ishte konkurrenti më i fortë i “Wizz Air”, duke marrë 22.3% të udhëtarëve që fluturuan përmes Rinasit. “Air Albania”, që në vitin 2023 ishte operatori i dytë më i madh, me 7% të tregut, ka zbritur në vend të tretë në 2024-n, me një peshë prej 3.4%.

Konkurrenca e “Wizz Air” dhe “Ryanair” ka ndikuar në aktivitetin e këtij operatori në destinacionet përveç Stambollit. Kompania nuk ka dorëzuar asnjëherë bilanc. Sipas të dhënave nga Tatimet, qarkullimi vjetor i kompanisë ishte rreth 3.8 miliardë lekë në vitin 2021, për të arritur në rreth 5 miliardë lekë në vitin 2022 dhe 5.5 miliardë lekë në vitin 2023. Në vitin 2024, të ardhurat janë rreth 4 miliardë lekë, sipas të dhënave indirekte nga Tatimet.

“Albawings”, operatori me kapital shqiptar, që zuri 5% të tregut në vitin 2023, ka pasur aktivitet vetëm në fillim të 2024-s, duke e mbyllur vitin me një peshë prej 0.1%. Kompania kreu disa fluturime vetëm në janar. Të ardhurat e tij, sipas bilancit, ishin 4.6 miliardë lekë (43 milionë euro) më 2023. Sipas Aviationonline, “Albawings” ndërpreu operacionet më 12 janar 2024. “E themeluar në vitin 2015, kompania ajrore u tërhoq nga tregu në një moment kulmor për industrinë e turizmit në Shqipëri. Megjithatë, konkurrenca e ashpër nga zgjerimi i ‘Wizz Air’ dhe ‘Ryanair’, si dhe krijimi i linjës ajrore shtetërore-private ‘Air Albania’, e vështirësoi ndjeshëm mbijetesën e “Albawings”, raporton Aviationonline.

“Albcontrol”, operatori në pronësi publike, që kryen shërbime të transportit ajror, deklaroi të ardhura 3.6 miliardë lekë, me rritje 9% në 2024-n.Në raportin vjetor, kompania pohon faktikisht se ajo nuk i ka arkëtuar të ardhurat për shkak të bllokimit të llogarive të saj, pas konfliktit mes qeverisë shqiptare dhe investitorit italian, Francesco Becchetti. “Gjatë vitit 2024, ashtu si edhe gjatë vitit 2023, shoqëria nuk ka arkëtuar asnjë të ardhur nga shërbimi ‘en route’ dhe ‘terminal charge’ si pasojë e një vendimi të Gjykatës së Shkallës së Parë të Brukselit, për bllokimin e të ardhurave nga shërbimet ‘en route’ dhe ‘terminal charge’, të ofruara nga ‘Albcontrol’”, thuhet në përshkrimin e pasqyrave financiare.

Shuma që “Albcontrol”, kompania me pronësi shtetërore, që menaxhon trafikun ajror, nuk ka arritur të arkëtojë për shkak të bllokimit të llogarive të saj në Eurocontrol, si rrjedhojë e konfliktit mes qeverisë shqiptare dhe investitorit italian, Francesco Becchetti, ka arritur në 13.5 miliardë lekë në fund të vitit 2024, nga 607 milionë lekë që ishte ky zë në dhjetor 2020. Përballja e Shqipërisë me investitorin italian, Francesco Becchetti, në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve, përfundoi me një vendim në favor të tij, duke i dhënë një kompensim prej 110 milionë eurosh. Investitori ka synuar mbledhjen e parave në llogaritë që shteti shqiptar ka jashtë kufijve, ku një prej tyre është llogaria e “Albcontrol” në Eurocontrol në Bruksel. “Air BP Albania”, që ka të drejtën e furnizimit me karburant të avionëve që fluturojnë në Aeroportin e Rinasit, raportoi të ardhura 3.1 miliardë lekë në vitin 2024, me rritje 11.2% me bazë vjetore. Sipas raportit të aktivitetit, sasia e shitjeve është 40% më e lartë.

Vitet e fundit, në listën e më të mëdhave, hynë dhe agjencitë turistike, për shkak të një ndryshimi në mënyrën e mbajtjes së kontabilitetit, që i detyronte të raportonin si të ardhura edhe vlerën e biletave, jo vetëm marzhin që mbanin. “Albtours‘D’-VAS tour operatore” është agjencia më e madhe e udhëtimeve në vend. Të ardhurat e operatorit u rritën me 4.8%, në gati 3.4 miliardë lekë. Sipas raportit të aktivitetit, të gjitha të ardhurat janë nga shërbimi “ticketing”. “Globus-Travel” rriti me 13% të ardhurat, në 3.5 miliardë lekë. “Viti 2024 vlerësohet nga ana e drejtuesve të shoqërisë si një vit me performancë të kënaqshme”, thuhet në raportin e aktivitetit. /Monitor.al

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More