Presidenti i Republikës, Bajram Begaj uroi sot presidenten e Moldavisë, Maia Sandu për fitoren në zgjedhjet parlamentare.
Begaj u shpreh se, kjo fitore është provë e besimit të qytetarëve në demokraci dhe në integrimin evropian si një përparësi strategjike.
Kreu i Shtetit theksoi se, Shqipëria qëndron me Moldavinë në rrugën e saj drejt BE-së.
“Urime të sinqerta Presidentes së Moldavisë, Maia Sandu për fitoren në zgjedhjet parlamentare. Kjo është provë e besimit të qytetarëve në demokraci dhe në integrimin evropian si një përparësi strategjike. Shqipëria qëndron me Moldavinë në rrugën e saj drejt BE-së”, theksoi Begaj në një postim në rrjetin social X.
Partia qeverisëse pro evropiane e ”Veprimit dhe Solidaritetit” (PAS) e udhëhequr nga presidentja Maia Sandu, ruajti shumicën parlamentare në zgjedhjet e së dielës.
Pasi u numëruan 99% e fletëvotimeve, PAS fitoi 49,9% të votave, duke siguruar një shumicë parlamentare.
Moldavia, një vend me rreth 2,4 milionë banorë, ka qenë një vend kandidat për në BE që nga viti 2022.
