SPAK ka zbuluar grupin kriminal që vrau Edmir Bregun, në 2021, për motive hakmarrjeje.
Hetimi i kryer në bashkëpunim të ngushtë me Europol, Eurojust, si dhe autoritetet ligjzbatuese të Francës mundësoi zbardhjen e një skeme të organizuar kriminale e përfshirë në:
-Vrasje me paramendim e kryer për hakmarrje, përfshirë dhe mbajtjen pa leje të armëve të zjarrit;
-Falsifikimi i dokumenteve dhe korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike, kryer më shumë se një herë.
Hetimet u përqëndruan tek disa shtetas shqiptarë, të përfshirë në organizimin dhe realizimin e vrasjes në territorin e Republikës së Shqipërisë për qëllime hakmarrjeje. Personat e përfshirë duke bashkëpunuar me njëri tjetrin kanë arritur të sigurojnë infrastrukturën e nevojshme me: Automjete me qira, armë zjarri, banesa si dhe të kryejnë mbikeqyrje të vazhdueshme me qëllim realizimin e vrasjes.
Gjatë hetimeve intensive të kryera nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), nën drejtimin e prokurorëve të posaçëm është dokumentuar aktiviteti kriminal si dhe identifikimi i disa prej autorëve të dyshuar të veprës penale të vrasjes, me paramendim me qëllim hakmarrjen, në formë e grupit të strukturuar kriminal si dhe autorëve që kanë kryer falsifikimin e dokumenteve të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Identifikimi i autorëve të dyshuar për vrasjen për hakmarrje të shtetasit, E.B më datë 21.1.2021, në qytetin e Durrësit.
Veprimet e kundraligjshme të vrasjes me paramendim për hakmarrje, mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, janë kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Si drejtues i grupit të strukturuar kriminal dhe si porositës i vrasjes për hakmarrje dyshohet të jetë shtetasi A.B. (alias A.A), në shenjë hakmarrjeje për tentativën për të vrarë nipin e tij, E.A. (alias A.A).
Gjithashtu si drejtues dhe koordinator i grupit të strukturuar kriminal, dyshohet të jetë shtetasi, E.A. (alias A.A), si ndihmës dyshohet të jetë shtetasi E.K., ndërsa si ekzekutor dyshohet të jenë shtetasit, E.D dhe A.D. Në lidhje me këtë fakt po hetohet për identifikimin e personave të tjerë, të cilët mund të jenë të përfshirë në këtë ngjarje kriminale.