Shkup, 4 tetor – Kandidati i VLEN-it, për komunën e Sarajit, Muhamet Elmazi, sonte ka qëndruar në fshatin Rashçe, atje, ku u prit në mënyrë madhështore, duke dëshmuar se fitorja në zgjedhjet e 19 tetorit është më se evidente. Elmazi, deklaroi se së bashku me fshatin Rashçe do të shkruhet kapitulli i ri për Sarajin.
“Sonte Rashça tregoi forcën e saj me një pjesëmarrje masive dhe atmosferë të jashtëzakonshme! Çdo duartrokitje, çdo përshëndetje dhe çdo fjalë e banorëve të Rashçes dëshmoi se më 19 tetor, Saraji do të zgjedhë ndryshimin. Fitorja po afrohet dhe bashkë me Rashçen po e shkruajmë kapitullin e ri të Sarajit! NJË ZË për fitoren e madhe të 19 tetorit!”, ka deklaruar Elmazi.
Nga ana tjetër kandidati për kryetar komune në Saraj, Blerant Ramadani, ka prezantuar projekte konkrete për zhvillimin e fshatit Matkë, duke theksuar përkushtimin e tij për përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të jetesës për banorët lokalë.
Ndër projektet kryesore që Ramadani ka parashikuar për Matkën janë:
Ndërtimi i shkollës fillore — për të siguruar kushte moderne dhe të sigurta për arsimin e fëmijëve. Rregullimi dhe asfaltimi i rrugës kryesore — nga hyrja e fshatit deri te shkolla, për lehtësimin e qarkullimit dhe rritjen e sigurisë. Asfaltimi i rrugës deri te “Viken Shtepizat” — për të përmirësuar infrastrukturën dhe qasjen në këtë zonë të banuar.
Ramadani theksoi se këto projekte janë vetëm fillimi i një plani më të gjerë zhvillimor që synon ta bëjë Matkën një vend më të përshtatshëm për banorët, me infrastrukturë moderne dhe shërbime më të mira.