Shkup, 6 tetor – Gjyqtarja në Gjykatën Themelore Penale të Strumicës dhe ish-anëtare e Këshillit Gjyqësor, Loreta Georgieva, e cila sërish është në fokusin e opinionit për shkak të një kallëzimi kundër saj se ka dëmtuar buxhetin e Këshillit Gjyqësor përmes keqpërdorimit të mjeteve për shpenzime të rrugës në një deklaratë për Alsat thotë se opinioni në këtë moment nuk duhet të gjykojë dhe se duhet t’u lihet institucioneve që ta sqarojnë rastin.
“Mendoj se faktet duhet t’i konstatojnë institucionet kompetente dhe, me gjithë respektin për ju dhe profesionin tuaj, të lini kohë dhe hapësirë për përgjigjen nga organet kompetente, pa gjykim nga opinioni publik dhe duke treguar kujdes për dinjitetin e secilit”, tha Loreta Georgieva, gjyqtare dhe ish-anëtare e Këshillit Gjyqësor.
Policia në fund të javës së kaluar ngriti kallëzim penal kundër Georgievës për veprën “Mashtrim në detyrë”, ndërsa prokuroria për Alsat konfirmoi se rasti tashmë është në procedurë parahetimore. Bëhet fjalë për një akuzë sipas së cilës Georgieva, e cila është nga Strumica dhe si anëtare e Këshillit, ka vazhduar të marrë para për shpenzime udhëtimi në linjën Strumicë-Shkup dhe anasjelltas, edhe pse vajza e saj ndërkohë kishte blerë pronë në Shkup. Sipas MPB-së, Georgieva nuk e ka deklaruar apartamentin në Shkup që e kishte blerë vajza e saj dhe në 15 raste ka vazhduar të marrë para për shpenzime udhëtimi, duke dëmtuar buxhetin e Këshillit Gjyqësor për 4.700 euro. Pak pas kallëzimit, Alsat kontaktoi edhe kreun e Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, i cili tha se këshilli do ta ndjekë zhvillimin e këtij rasti, por duke respektuar parimin e prezumimit të pafajësisë. Megjithatë, sipas Kambovskit, nëse Georgieva shpallet fajtore për veprën penale në fjalë, Këshilli do të nisë procedurë disiplinore kundër saj, për sjellje seriozisht të papërshtatshme, gjë që mund të çojë edhe në shkarkimin e saj nga funksioni i gjyqtares në gjykatën e Strumicës. Vetë gjykata e Strumicës, pak pas kallëzimit të ngritur nga MPB-ja, doli me njoftim ku akuzon mediat. Sipas tyre, publikimi i kallëzimit penal cenon reputacionin e drejtësisë dhe ushtron presion dhe frikësim mbi gjyqtarët që heshtin para kritikave të pabazuara. Procedura kundër Georgievës vjen në kohë të retorikës së fortë të pushtetit për reforma në drejtësi dhe veprime kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, me fokus te Këshilli Gjyqësor. Paralajmërimet janë se reformat në gjyqësor do ta fillojnë pas zgjedhjeve, por deri tani nuk ka plan të qartë se në çfarë forme do të zbatohen. /Alsat.mk