Shkup, 7 tetor – Nga Drejtoria e Doganave njoftojnë se në pikën kufitare “Bogorodicë” kanë sekuestruar 1,158 orë dore të falsifikuara, përcjell TV21. Nga Drejtoria e Doganave shtojnë se në pikat kufitare deri në shtator të këtij viti janë zbuluar 63 raste të shkeljes së të drejtave të pronësisë intelektuale, duke sekuestruar pothuajse 78,000 produkte me marka të njohura tregtare.
“Gjatë një kontrolli të mallrave të deklaruara për tranzit në pikën kufitare Bogorodicë, u sekuestruan gjithsej 1,158 orë dore me markat e mbrojtura tregtare “Rolex”, “Boss”, “Armani” dhe “Tommy Hilfiger”. Rasti u zbulua nga një ekip doganor mobil, i cili, për shkak të dyshimit, kreu një kontroll të detajuar, duke gjetur orë vlera e të cilave, deklaruar sipas faturës nga një kompani kineze ishte 60,852 denarë. Për shkak të dyshimit të bazuar për shkelje të të drejtës së pronësisë intelektuale, mallrat u bllokuan dhe u nis procedura për të përcaktuar origjinalitetin e produkteve”, thonë nga Drejtoria e Doganave.