Dy punonjës sigurie në Portin e Durrësit janë vënë në pranga pasi akuzohen se kanë vjedhur një motomjet të importuar nga Zvicra, me vlerë rreth 2500 euro.
Policia e Durrësit bëri të ditur se pas hetimeve dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative, u arrestuan shtetasit Indrit Filo, 45 vjeç, dhe Gentian Dobra, 47 vjeç, të dy banues në Durrës.
Sipas hetimeve paraprake, dy të arrestuarit dyshohet se kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin për të vjedhur motomjetin në pronësi të shtetasit K. K., brenda ambienteve të portit, ndërkohë që ishin në detyrë për ruajtjen dhe sigurimin e objektit.
Policia ka sekuestruar motomjetin e vjedhur, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprën penale “Vjedhja e kryer në bashkëpunim, duke shpërdoruar detyrën.”