Kryeministri Edi Rama priti sot kryetarin e bashkisë së Nju Jorkut Eric Adams.
Gjatë një prononcimi për mediet së bashku me kreun e qeverisë, Adams shprehu përgëzimet për ndryshimet e ndodhur në Shqipëri e kryesisht në Tiranë.
“Faleminderit kryeministër për miqësinë tuaj dhe që më lejuat të shfaq këtu atë që kam shfaqur edhe në Nju Jork, më të mirën e flamurit shqiptar. Kur mendon për këtë qytet 25 vite më parë, ju kishit më pak sesa 100 drita rrugës, ndërkohë që 25 vjet më pas në këtë udhëheqje, shihni një komunitet e qytet në lulëzim që po ecën në drejtimin e duhur”, u shpreh Adams në deklaratën për mediet.
“Nga mungesa e ndriçimit në rrugë, në pasjen e një ministreje të Inteligjencës Artificiale duke kuptuar rolin që Inteligjenca Artificiale do të luajë në të ardhmen e vendit dhe qytetit”, u shpreh Adams.
Adams tha më tej se dëshironte të vinte në Shqipëri pas një sërë bashkëbisedimesh në qytetin e Nju Jorkut, ku jeton një nga komunitetet më të mëdha, në mos më të madhi i popullsisë shqiptare, jashtë Shqipërisë.
“Doja të vija këtu dhe të mësoja më shume rreth teknologjisë, që ju si kryeministër keni qenë në gjendje të kujdeseni për revolucionin e këtij vendi dhe këtij qyteti”, u shpreh Adams.
Adams u ndal edhe tek turizmi, ku theksoi se gjatë bisedimeve me kryeministrin Edi Rama kanë folur edhe për një linjë fluturimi direkte me Nju-Jorkun.
“Erdha këtu të flas për turizmin si të ndihmojmë dhe të shfrytëzojmë jo vetëm muajt që më kanë mbetur në detyrë, por edhe muajt më pas, për të siguruar një linjë fluturimi drejtpërdrejt me New York City sepse ndihmojnë drejtpërdrejt banorët atje, por edhe këtu në vend”, tha Adams.
Adams tha se u diskutua edhe për çështjen e emigracionit. Më tej kryetari i bashkisë së Nju Jorkut u shpreh se janë të angazhuar për tregti mes dy vendeve.
“Jemi angazhuar për të folur me zëvendësministra që kanë portofol të gjerë, për të parë si mund të krijojmë një marrëdhënie simbiotike, të shohim si mund të përdorim disa prej prodhimeve të bëra këtu dhe prodhimeve të bëra në Nju Jork, për t’u angazhuar në tregti”, tha ai.
“Është e domosdoshme të ndajmë tre gjëra të rëndësishme, një, biznesin do ta inkurajoj pavarësisht se kush do të jetë kryetari i bashkisë vitet në vijim, për të hedhur sytë nga ky vend për mundësitë e biznesit dhe anasjelltas. E dyta kultura, është e domosdoshme që ne te kuptojmë historinë tuaj, ndërkohë që ndajmë historinë tonë, dhe që të rinjtë tanë më së fundmi të angazhohen me njëri-tjetrin. Dua të ftoj të rinjtë tuaj të vizitojnë Amerikën dhe më së fundmi të rinjtë amerikanë që të vizatojnë vendin tuaj”, u shpreh Adams.
Adams shtoi se “ne duhet të jemi bashkë që të përballemi me sfidat globale, pasi me futjen e internetit dhe komunikimit, është e qartë se nuk jetojmë më në një mjedis të veçuar, ndajmë të njëjtën hapësirë, të njëjtat shqetësime dhe të njëjtin fat”.
Adams tha se ka pasur spekulime për vizitën e tij në Shqipëri, teksa sqaroi se “arsyeja është e thjeshtë, për të përshëndetur një mik, për të mësuar nga një mik, dhe për të ndërtuar një marrëdhënie me një miqësi që nuk do të na lejojë që ne të kemi ndasi”.
“Ne do të mësojmë nga njëri-tjetri, do të rritemi së bashku ashtu siç bëjmë në Nju Jork, ashtu siç po bëni ju këtu, në këtë vend të jashtëzakonshme me histori të pasur”.