Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, priti sot në një takim homologen belge, Annelies Verlinden si dhe ministren e Azilit dhe Emigracionit në Mbretërinë e Belgjikës, Anneleen Van Bossuyt.
Gjatë takimit ministri Lamallari vlerësoi vizitën si një moment tjetër të rëndësishëm në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore midis Shqipërisë dhe Belgjikës, si dhe theksoi nevojën për të eksploruar më tej mundësi të reja bashkëpunimi në fusha me interes të përbashkët.
Mes të tjerësh ai shprehu mirënjohje për mbështetjen e vijueshme që Belgjika i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e integrimit në BE, teksa solli në vëmendje edhe faktin se vendi ynë ka marrë statusin e kandidatit në vitin 2014 kur Belgjika mbante Presidencën e Këshillit të BE-së.
Asistenca teknike e Belgjikës në fushat e drejtësisë ishte gjithashtu mes pikave për të cilat ministri i Drejtësisë falënderoi homologen e tij belge.
Palët ranë dakord që të intensifikojnë bashkëpunimin në funksion të forcimit të Shtetit të së Drejtës dhe të eksplorojnë mundësinë e takimeve periodike në nivel teknik për të eksploruar forma të reja të bashkëpunimit mes tyre.
Më herët, dy ministret belge zhvilluan një takim edhe me ministren e Brendshme, Albana Koçiu. Gjatë takimit, ministrja Koçiu u shprehu mirënjohjen dy ministreve të qeverisë belge, për mbështetjen dhe besimin e tyre të vazhdueshëm ndaj Shqipërisë.