Ministri i Financave, Petrit Malaj, zhvilloi një takim me drejtoren e përgjithshme të komanduar të Zyrës Europiane Kundër Mashtrimit (OLAF), Salla Saastamoinen, në kuadër të seminarit AFCOS 2025, i cili këtë vit po mbahet në Tiranë.
Gjatë takimit, Malaj theksoi angazhimin e palëkundur të qeverisë shqiptare, në kuadër edhe të zbatimit të Strategjisë Kombëtare Kundër Mashtrimit 2025-2030, si dhe të masave që po ndërmerren për mbrojtjen e interesave financiare të BE-së dhe që ka në fokus qasjen, që Shqipëria ka për sigurimin e administrimit efektiv të fondeve të BE-së gjatë periudhës së paraanëtarësimit.
Nga ana e saj, Saastamoinen vlerësoi bashkëpunimin me Shërbimin e Koordinimit Kundër Mashtrimit (AFCOS), që shërben si pika kryesore e kontaktit të Shqipërisë me Zyrën Europiane Kundër Mashtrimit. Ajo gjithashtu vlerësoi progresin e bërë në zbatimin e praktikave më të mira evropiane kundër mashtrimit financiar.
Në seminarin AFCOS 2025, Malaj theksoi se ky takim zhvillohet në një moment kur Shqipëria ka vendosur një themel të qëndrueshëm ligjor, institucional dhe procedurial, në dobi të mbrojtjes së interesave financiare të taksapaguesve evropianë dhe të Bashkimit Europian në tërësi.