Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot për atë që e cilësoi mungesë ekstreme të masave të sigurisë në gjykata, ndërsa e konsideroi vrasje shtetërore, vrasjen e gjykatësit të Apelit, Astrit Kalaja, një vrasje shtetërore”.
Në një prononcim për mediet jashtë sallës së Kuvendit, Berisha komentoi edhe vendimin e djeshëm të Këshillit të Ministrave për të forcuar masat e sigurisë për drejtuesit e GJKKO-së, SPAK dhe BKH-së.
“Gjykatësi është vrarë, është ekzekutuar në mënyrë barbare në krye të detyrës dhe ju e patë, narkoqeveria dje, në vend se të përcaktonte masa për mbrojtjen e gjykatësve, dublikoi masat për mbrojtjen e ‘skapistëve’. Unë nuk jam kundër mbrojtjes së ‘skapistëve’, por gjykata e Apelit dhe gjykatësi i Apelit, në aspektin e vendimit është më i rëndësishmi i vendimmarrjes gjyqësore”, tha Berisha.
Po ashtu, Berisha shprehu mbështetjen e plotë ndaj kërkesës së krerëve të institucioneve të drejtësisë për garantimin e sigurisë në gjykata.
Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin që parashikon se drejtuesit e GJKKO-së dhe BKH-së do të shoqërohen me truproje të nivelit bazë dhe të mesëm gjatë gjithë kohës së mandatit dhe për një periudhë shtesë 2 vjet pas përfundimit të mandatit. Ndërsa për drejtuesin e SPAK parashikohet që kjo mbrojtje të zgjasë për 3 vjet pas përfundimit të mandatit.