Berlin, 9 tetor – Ministri gjerman për Punë të Jashtme, Johann Wadephul, deklaroi se Ballkani Perëndimor është pjesë e familjes evropiane, por se në rajon po rritet mosbesimi se në një të ardhme të afërt do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Siç paralajmëroi ai, kjo sjell rrezikun e një “kthimi në kohërat e vjetra të armiqësive dhe të rritjes së ndikimit të Rusisë dhe Kinës”.
“Ballkani Perëndimor është pjesë e familjes evropiane. Prandaj për ne është e qartë: rrugën drejt BE-së do ta ndjekim së bashku me gjashtë vendet e rajonit,” deklaroi Wadephul në prag të takimit ministror për Ballkanin Perëndimor që po mbahet në kështjellën Hillsborough pranë Belfastit, sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë.
Në takim marrin pjesë ministrat e jashtëm të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe ministra apo përfaqësues të lartë nga Gjermania, Franca, Italia, Austria, Sllovenia, Greqia, Bullgaria dhe vende të tjera.
Takimi dyditor po zhvillohet në kuadër të Procesit të Berlinit dhe ka për qëllim përgatitjen e samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet në Londër më 22 tetor.
Wadephul theksoi se pikërisht Procesi i Berlinit është “katalizator në procesin e afrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian” dhe se ky rol i tij “sot është më i rëndësishëm se kurrë”.
“Njerëzit po fillojnë të humbasin besimin në mundësinë e anëtarësimit të afërt në BE. Këtë nuk mund ta lejojmë, sepse në atë rast kërcënohemi me kthim në kohë të armiqësive dhe rritje të ndikimit të Rusisë dhe Kinës”, deklaroi Wadephul. Ai theksoi se roli i Procesit të Berlinit është gjithashtu që të nxisë bashkëpunimin e përditshëm dhe të sjellë përmirësime të dukshme në jetën e qytetarëve.
Procesi i Berlinit është një nismë e Bashkimit Evropian e nisur në vitin 2014 me iniciativën e Gjermanisë, me qëllim forcimin e bashkëpunimit rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ndihmesën për rrugëtimin e tyre drejt anëtarësimit në BE.
Takimi po mbahet simbolikisht në kështjellën Hillsborough, aty ku në vitin 1998 qeveritë e Mbretërisë së Bashkuar dhe Republikës së Irlandës nënshkruan Marrëveshjen e Belfastit – e njohur edhe si Marrëveshja e të Premtes së Madhe – me të cilën iu dha fund në masë të madhe konfliktit në Irlandën e Veriut.