“Bazuar në të dhënat dhe analizat tona të publikuara në raportin për Europën Juglindore, transaksionet ndërkorporative në Shqipëri vazhdojnë të jenë në nivele të qëndrueshme, ndërkohë që me hapjen e dyerve të kapitalit të huaj europian dhe nevojës për rritje joorganike, ne presim rritje graduale në 3-5 vitet e ardhshme”, pohoi për “Monitor”, Andi Suli, Managing Director me “OCF Corporate Finance”, një firmë e specializuar në financën e korporatave, shkrirjet e blerjet (M&A) dhe vlerësimin financiar.
Gjatë 2024-2025, “OCF Corporate Finance” ka regjistruar 16 transaksione, kryesisht blerje mazhoritare, të shtrira në industri të ndryshme. Ndërkohë, qëndrueshmëria gjatë viteve, në gjykimin tonë është një katalizator i mirë për atë çka ne mendojmë se do të vijojë të rritet gradualisht si mekanizëm i pranishëm për rritjen e vlerës korporative nga bizneset shqiptare, diktuar kryesisht nga
a) nevoja për rritje joorganike në sektorë të maturuar;
b) konsolidimi i pashmangshëm në sektorë të fragmentuar me shumë operatorë;
c) shtimi i presionit konkurrues nga e ardhmja e afërt në Bashkimin Europian; dhe
d) transferimi i madh i kapitalit që pritet të ndodhë nga gjenerata e parë e pronësisë te gjenerata e dytë”.
Ai shton se këta faktorë janë të pranishëm në mënyrë të qartë në sektorët më fitimprurës dhe me kthimet më të larta në vend, duke e bërë të domosdoshme që Drejtuesit dhe Aksionerët të përgatiten dhe të planifikojnë për të rritur vlerën e biznesit përmes këtij mekanizmi.
Suli e shikon me optimizëm ristrukturimin e kompanive më të mëdha në Shqipëri, pasi ky proces hap rrugën drejt krijimit të vlerës afatgjatë për aksionerët. Riorganizimet, disinvestimi i segmenteve/divizioneve më pak fitimprurëse apo konsolidimi i aktiviteteve thelbësore u mundëson grupeve të përqendrohen te segmentet me potencial më të lartë rritjeje dhe kthimi mbi kapitalin e investuar.
“Nga këndvështrimi ynë, përmirësimi i qeverisjes korporative dhe krijimi i strukturave menaxheriale të mirëpërcaktuara janë faktorë kyçë për të maksimizuar vlerën e aksionerëve. Modele më të qarta të vendimmarrjes, alokimi më efikas i kapitalit dhe transparenca e shtuar u japin grupeve mundësinë të tërheqin investime strategjike, të diversifikojnë burimet e financimit dhe të rrisin pozicionimin e tyre në tregun lokal dhe atë rajonal”.
Në vitet në vijim, në pikëpamjen e “OCF Corporate Finance”, bizneset që do të dominojnë tregun shqiptar dhe me mundësinë më të lartë për të penetruar gjerësisht në atë rajonal, do të jenë ato që arrijnë të ndërthurin dy elemente:
i) qartësinë strategjike në portofolin e aseteve dhe bizneseve; dhe
ii) menaxhimin e avancuar financiar të alokimit të kapitalit në projektet e reja investuese.
“Në këtë kuadër, ristrukturimet e sotme janë baza për lidershipin e nesërm në treg”, përfundon Suli./Monitor.al