Në objektin e komunës, Imri Ahmeti edhe njëherë hynë si fitues për të qeverisur me Komunën e Lipjanit edhe për katër vitet e ardhshme, raporton Ekonomia Online. Ahmeti, që në zgjedhjet e 12 tetorit 2025 mori 51,15 për qind, apo 15 mijë e 29 vota nga foltorja e Kuvendit Komunal tha se me këtë fitore, është konfirmuar puna dhe angazhimi i vazhdueshëm aty.
Ai në fjalimin e tij u shpreh falënderues për votuesit e tij.
“Kur ke kaq djem të mirë, gra të mira dhe burra të mirë të Lipjanit nuk guxon me punu. Faleminderit të gjithë juve veçanërisht zyrtarëve të administratës juve qytetarë të Lipjanit që jeni në këto momente me neve. Përveç se është kënaqësi është edhe përgjegjësi, jam mirënjohës dhe falënderues për gjithë angazhimet dhe kontributin tuaj”, tha ai.
Ahmeti u shpreh se misioni nuk ishte të bëjnë vetëm zgjedhje por edhe me udhëheq me mision.
“Natyrisht misioni ynë nuk është vetëm me bo zgjedhje dhe me udhëheq një komunë. Misioni ynë i shenjtë ka qenë dhe do të mbetet që të kultivojmë një kulturë, një disiplinë, një përgjegjësi dhe me dinjitet ta zhvillojmë edhe demokracinë. E kujtoj që Lipjani e ka dhënë provimin edhe në këtë fushatë zgjedhore duke kalu një proces ferr me disiplinë, prandaj urime të gjithë qytetarëve të Lipjanit. Konfirmimi i besueshmërisë së qytetarëve është konfirmim i punës, i angazhimit dhe i vazhdimit të punës. Natyrisht që ne do të vazhdojmë njëjtë dhe sot do ta keni pushim ndërsa nesër në orën 8:00, me ju pa të gjithëve në punë sepse na duhet me punu, me çu përpara proceset e zhvillimit të komunës tonë”, shtoi Ahmeti.