Shkup, 16 tetor – Në mbrëmjen e fundit të fushatës elektorale në Çair, kandidati për kryetar të kësaj komune, Izet Mexhiti, mbajti një fjalim emocionues përpara qytetarëve, ku theksoi rëndësinë e nderit të Çairit dhe vizionin e tij për zhvillimin e komunës.
Mexhiti u shpreh se nuk është para qytetarëve për të mbajtur një fjalim politik apo për të sulmuar kundërshtarët e tij. “Në cilindo skaj të Çairit që të ecni, flet puna jonë, flasin makineritë që punojnë në Çairin tonë,” tha ai, duke shtuar se ndryshimet e vërteta tashmë janë të dukshme.
Ai falënderoi qytetarët për besimin dhe mbështetjen e tyre, duke theksuar se më shumë se fitorja e ardhshme, për të ka rëndësi dashuria, besimi dhe buzëqeshja e qytetarëve.
I drejtuar kundërshtarëve politikë, Mexhiti tha se Çairi nuk mund të jetë trampolinë për karriera të konsumuar politike dhe se disa prej tyre më 19 tetor do të dërgohen në “pension politik” ose histori. “Fitorja jonë në Çair ka të bëjë me nderin e Çairit,” u shpreh ai.
Ai theksoi gjithashtu se gjatë 15 muajve të qeverisjes qendrore, qeveria VLEN ka orientuar dhjetëra projekte dhe rreth 100 milionë euro investime drejt Çairit, duke e kthyer nga periferi në epiqendër të qytetit. Mexhiti falënderoi gjithë stafin e VLEN-it, forumin e grave, forumin rinor, bartësit e listave të këshilltarëve dhe të gjithë ata që kontribuan në fushatë.
Në përmbyllje, Mexhiti bëri thirrje që më 19 tetor të votohet për numrin 7 dhe ftoi qytetarët të mblidhen në sheshin “Skënderbeu” për të festuar kapitullin e ri për Çairin dhe historinë e re politike për shqiptarët.
